Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR publikoi sot raportin paraprak për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, duke vlerësuar se procesi ishte në përgjithësi konkurrues dhe i menaxhuar në mënyrë profesionale, por zhvilluar në një klimë të polarizuar politikisht, me probleme të dukshme lidhur me barazinë në garë dhe shfrytëzimin e burimeve shtetërore nga partia në pushtet.
Përfaqësuesja e misionit, Farah Karimi, u shpreh se qytetarët mbeten “zemra e procesit zgjedhor”, ndërsa theksoi se megjithëse kandidatët patën hapësira për të bërë fushatë, janë dokumentuar raste intimidimi dhe presioni ndaj zgjedhësve, sidomos në sektorin publik.
“Zgjedhjet ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por në një klimë të tensionuar dhe me kandidatë që nuk patën mundësi të barabarta,” deklaroi Karimi.
OSBE vërejti se administrata zgjedhore menaxhoi procesin në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente, ndërsa vlerësoi pozitivisht menaxhimin e votës së diasporës, pavarësisht miratimit të vonuar të kuadrit ligjor për këtë proces.
Sidoqoftë, misioni vuri në dukje disa shqetësime madhore:
Partia në pushtet përfitoi dukshëm nga përdorimi i burimeve administrative gjatë fushatës, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për barazi në garë.
Dominimi i dy partive kryesore në mbulimin mediatik krijoi mungesë pluralizmi, veçanërisht në televizionet kombëtare.
Fushata në rrjetet sociale mbeti e parregulluar, pa një autoritet të qartë për monitorimin e përmbajtjeve dhe luftimin e manipulimeve dixhitale.
Vendime politike dhe sociale të marra afër ditës së votimit, si falje gjobash dhe ndihma financiare, u cilësuan si elementë që kompromentuan frymën e barazisë në garë, duke krijuar pasiguri në zbatimin e kuadrit ligjor.
Karimi përmendi si shqetësim edhe mbylljen e platformës TikTok nga qeveria në prag të zgjedhjeve, një vendim që ndikoi drejtpërdrejt në fushatat e kandidatëve dhe komunikimin me votuesit e rinj.
Në një deklaratë të veçantë, përfaqësuesi i OSBE-së vlerësoi rolin e SPAK në ndjekjen e krimeve zgjedhore, duke theksuar se përveç hetimeve, institucioni pati edhe një efekt frenues në parandalimin e shkeljeve.
“SPAK ka luajtur një rol pozitiv. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë ngushtë me parlamentin e ardhshëm dhe institucionet për të çuar përpara interesin publik dhe forcimin e demokracisë në Shqipëri,” u shpreh ai.
Raporti i OSBE/ODIHR pritet të pasohet nga rekomandime konkrete për përmirësimin e kuadrit ligjor, rregullimin e fushatave online dhe garantimin e një gare zgjedhore më të drejtë dhe më transparente në të ardhmen.