Qeveria Rama ka miratuar vendimin për rritjen e pagës minimale mujore, duke e çuar atë nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë të vjetra. Ky vendim vjen në kuadër të angazhimeve të ndërmarra nga ekzekutivi për përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve dhe rritjen e mbrojtjes sociale për punëmarrësit në Shqipëri.
Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se rritja e pagës minimale do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë për rreth 307,850 punonjës të regjistruar në sektorin publik dhe privat.
Sipas saj, masa synon jo vetëm mbrojtjen e nivelit të jetesës për punëmarrësit me të ardhura të ulëta, por edhe forcimin e kapitalit njerëzor dhe përmirësimin e standardeve ekonomike për mijëra familje shqiptare.
Ibrahimaj theksoi se rritja e pagës minimale pritet të ketë edhe efekte pozitive në formalizimin e tregut të punës, duke ndihmuar në uljen e informalitetit dhe në rritjen e respektimit të kontratave ligjore nga punëdhënësit.
“Rritja e pagës minimale është një hap i rëndësishëm drejt një tregu pune më të drejtë dhe më të qëndrueshëm. Ekonomia rritet kur puna vlerësohet dhe kur dinjiteti i punonjësve vendoset në qendër të politikave publike”, deklaroi ministrja.
Vendimi pritet të hyjë në fuqi sipas afateve ligjore të përcaktuara dhe konsiderohet si pjesë e paketës më të gjerë të politikave ekonomike të qeverisë për rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e mirëqenies sociale në vend.
