Katër protestuesit e ndaluar nga Policia e Tiranës pas protestës së datës 22 Dhjetor, janë liruar sot nga togat e zeza të kryeqytetit. Ata kanë dalë në seancë paraprake dhe Gjykata e Tiranës ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm nga qelia.
Albi Kryeziu, Erlis Sina, Xhekson Dedaj dhe Artan Hysenaji janë lënë në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, e njëjta që ishte kërkuar dhe nga Prokuroria e Tiranës.
Këta shtetas akuzohen se në përfundim të protestës së organizuar nga opozita pasditen e 22 Dhjetorit përpara Kryeministrisë, kanë hedhur shishe molotovi dhe shashka, duke shkaktuar dëme materiale dhe plagosjen e 3 efektivëve.
Në një fotografi të publikuar nga salla e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, protestuesit shihen brenda kafazit të qelqtë me dy gishtat lart, ashtu si dy avokatët që i kanë mbrojtur në këtë proces penal.
Tubimi kombëtar i thirrur nga Sali Berisha pas muajsh “qetësi”, ka zgjatur për rreth 1 orë e 30 minuta dhe ka parë prani të lartë të militantëve dhe mbështetësve opozitarë, të cilët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pushteti i socialistëve është tronditur muajt e fundit për shkak të aferave të forta të korrupsionit që janë goditur nga Prokuroria e Posaçme, me disa nga figurat më kyçe të Partisë Socialiste të cilat kanë telashe të hapura me drejtësinë, ose janë prapa hekurave.
