Skip to content

Plani me detaje i 3 vellezerve per te vrare Renisin, dalin pamjet e levizjes se vrasesve, e ndiqnin kudo (VIDEO)

Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e 23 vjeçarit Renis Dobra, më 8 korrik, në Mat. Siç raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj, tre vëllezërit Kristi, Fatjon dhe Aleksandër Bushgjokaj nga Tropoja të cilët jetonin në Kamzë dhe Petrit Çakrri kanë përdorur makina me qira për të kryer krimin.

Ata, sipas policisë, kanë marrë makina me qira në Rinas dhe Yzberisht disa ditë para kryerjes së krimit. I kanë ndërruar makinat disa herë për të humbur gjurmët (fillimisht për 3 ditë me radhë) dhe kanë bërë vëzhgimin e lëvizjeve të Renis Dobrës në Burrel, deri mbrëmjen e 8 korrikut kur e kanë marrë peng dhe pasi e kanë mbytur me litar, e kanë hedhur në liqenin e Shkopetit.

Më poshtë, pamjet ekskluzive të lëvizjes së vrasësve, në ndjekje të 23 vjeçarit:

Njëri prej vëllezërve Bushgjokaj akuzohet për “përkrahje të autorit të krimit” pasi rezulton se ka dërguar në Kosovë dy vëllezërit e tij. Ndërsa këta të fundit akuzohen si bashkëpunëtorë në kryerjen e krimit.

Mësohet se ata kanë tentuar të heqin disa herë GPS-in e makinave me qira, por nuk ia kanë arritur.

Dyshimi i parë i policisë është se autorët kanë patur konflikt të drejtpërdrejtë me Dobrën, por nuk përjashtohet mundësia ta kenë bërë për llogari edhe të personave të tjerë.

Të paktën sipas informacioneve paraprake, ka gjasa që gjithçka të ketë nisur në Gjermani, atje ku 23 vjeçari ka jetuar për disa kohë dhe mund të jetë përfshirë në punë të paligjshme.

Babai i 23 vjeçarit, Rifat Dobra, ka deklaruar se djali i kishte shprehur shqetësimin se e kishin kërcënuar sepse gjatë kohës që punonte atje si shpërndarës i kishte humbur një sasi droge. Kjo pasi Çakrri dhe tre vëllezërit mendonin se i riu nga fshati Zenisht i Matit ju kishte fshehur një sasi droge.

Në vendin tonë, 23-vjeçari i ndjerë nuk rezulton me precedent të theksuar kriminal, por ka qenë i dyshuar dhe ishte hetuar për vjedhje banesash.

Petrit Çakrri, mësohet se është një prej dëshmitarëve okularë të vrasjes së ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, mbrëmjen e 12 shtatorit 1998. Çakrri, i cili pasi dha dëshminë për atë që njihet si “procesi i shekullit”, rezulton të ketë patur procedentë të shumtë penalë, që nga vjedhjet e deri tek përplasjet me policinë.

Në vitin 2017 është arrestuar nën dyshimet për “mashtrim me pasoja të rënda”, pasi i kishte marrë një biznesmeni nga Vlora një shumë prej 4.4 mln lekësh të reja duke iu prezantuar si tregtar. Çakrri, që tashmë e ka ndryshuar mbiemrin në Hoxha, ka monitoruar vazhdimisht lëvizjet e Renis Dobrës.

Siç bëri me dije Policia e Dibrës, në konferencë për mediat, ai është arrestuar në Golaj të Kukësit, ndërsa raportohet se është ndaluar edhe nipi i tij. Në celularin e këtij të fundit besohet se janë gjendur prova të shumta që mund të zbërthejnë detaje të mëtejshme për vrasjen e të riut nga Burreli.

Published inShowbizz