Më 8 korrik 2006, ndërroi jetë në një spital në Napoli të Italisë, Pjetër Arbnori, një figurë kyçe e disidencës shqiptare, i njohur si “Mandela i Shqipërisë”. Ai vuajti 28 vite burg politik gjatë regjimit komunist, para se të bëhej një nga themeluesit e Partisë Demokratike dhe një nga politikanët më me ndikim pas vitit 1990. Në një intervistë të botuar pak para vdekjes së tij, Arbnori rrëfen për jetën, aktivizmin dhe vuajtjet e tij.
Jeta dhe familja para burgut
Arbnori e përshkruan origjinën e familjes së tij nga Shiroka e Shkodrës. Babai i tij, një oficer në Mbretërinë e Zogut, u vra nga komunistët pasi refuzoi t’u bashkohej. Pjetri mbeti jetim në moshën 7-vjeçare, bashkë me dy motrat e tij. Ai ndoqi shkollën Jezuite dhe Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, ku arriti rezultate të shkëlqyera, por nuk mori medaljen e artë për shkak të qëndrimeve të tij politike.
Aktivizmi dhe burgimi politik
Aktivizmi i tij kundër regjimit komunist nisi në moshën 14-vjeçare. Ai u përfshi në grupe ilegale që shpërndanin trakte dhe punonin për krijimin e një partie politike. Kur ishte 26-vjeç, hartoi programin e “Grupit Socialdemokrat”, me qëllim krijimin e një partie pluraliste. Si pasojë, u arrestua dhe kaloi dy vite në birucë, ku u torturua. Ai kujton se u torturua me hekura, gjilpëra dhe u fut në arkivol, madje u dënua me vdekje. Gjatë gjithë hetuesisë, Arbnori thekson se nuk tregoi emrat e bashkëpunëtorëve të tij.
Vuajtjet dhe mbijetesa në burg
Ai rrëfen për vuajtjet e jetës në burg, veçanërisht në Burrel, ku dimrat ishin tejet të vështirë. Ai kujton kushtet çnjerëzore të mbajtjes në biruca të vogla, ku shtatë persona flinin si “sardelet”, duke u detyruar të kalonin muaj në çimento dhe terr. Ushqimi ishte i mjerueshëm, me oriz, makarona dhe fasule të krimbura.
Pavarësisht kësaj, Arbnori thekson se i shfrytëzoi kushtet për t’u arsimuar. Ai mësoi gjuhë të huaja duke lexuar fshehurazi libra apo duke përdorur me zgjuarsi ato të autorëve komunistë, ku ndër të tjera kishte edhe fragmente në gjuhë të huaja.
Liria dhe jeta pas burgut
Pas 28 vitesh, Arbnori u kthye në liri. Ai nuk e cilëson zgjedhjen e tij si kryetar të Parlamentit si një nder, por si një detyrim të popullit ndaj ish-të burgosurve politikë. Ai e gjeti forcën të krijojë familje në një moshë të avancuar, duke thënë se ka një familje të lumtur me një vajzë dhe një djalë, të cilët janë bekuar nga Shenjtorja Nënë Tereza. Për të, kjo është një krenari dhe njëkohësisht një përgjegjësi e madhe.