Një ngjarje ka ndodhur sot në Korçë, ku një 57-vjeçar është gjetur i pajetë brenda banesës së tij. Policia bën me dije se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet J. Th.
Ngjarja është raportuar rreth orës 09:00, kur shërbimet policore janë njoftuar për vdekjen e një personi. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe grupi hetimor për të kryer veprimet e nevojshme.
Nga këqyrja e parë e trupit të 57-vjeçarit, efektivët nuk kanë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera fizike. Për këtë arsye, dyshimet paraprake të Policisë janë se shtetasi J. Th. e ka humbur jetën për shkaqe natyrale, ndoshta si pasojë e një ataku kardiak apo problemesh të tjera shëndetësore.
Megjithatë, pritet që rezultati i ekspertizës mjekoligjore të hedhë dritë të plotë mbi shkakun e saktë të vdekjes së 57-vjeçarit. Grupi hetimor po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti.