Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur këtë të enjte rreth orës 12:00 në aksin rrugor Borsh–Fterrë, ku një mjet tip “Toyota” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Ngjarja ka pasur pasoja tragjike: një punonjës policie ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa dy persona të tjerë janë dërguar në spital në gjendje të rëndë.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë së Shtetit, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi mjetin nga drejtuesi i tij. Në automjet ndodheshin tre persona: R. X., V. Th. dhe E. M., ky i fundit rreth 47 vjeç, me detyrë punonjës policie. Për fat të keq, E. M. nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë në vend.
Grupi hetimor ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit, si dhe për të përcaktuar me saktësi se kush ndodhej në timon në momentin e ngjarjes.