Vetëm pak orë na ndajnë nga sfida e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë në stadiumin “Arena Kombëtare”, dhe ndërkohë spekulimet mbi formacionin titullar të kombëtares shqiptare po shtohen. Edhe pse detajet e fundit mbeten për t’u zyrtarizuar, burime pranë ekipit sugjerojnë se trajneri Sylvinho ka përcaktuar futbollistët që pritet t’i hedhë në fushë nga minuta e parë.
Duke u bazuar në seancat e fundit stërvitore dhe preferencat taktike të shfaqura nga braziliani dhe stafi i tij teknik, pritet që Shqipëria të paraqitet në fushë me skemën 4-2-3-1, një formacion që synon të jetë agresiv dhe të rrezikojë portën kundërshtare që në fillim të ndeshjes.
Në portë, duket se balotazhi është fituar nga Thomas Strakosha, i cili, pavarësisht mungesës së minutave në klub, konsiderohet si një vlerë e sigurt për kombëtaren.
Para tij, në qendër të mbrojtjes, pritet të luajë kapiteni Berat Gjimshiti, i shoqëruar nga njëri prej dyshes Ismajli ose Ajeti. Në krahët e mbrojtjes, Sylvinho besohet se do t’u besojë Elseid Hysajt në të djathtë dhe Mario Mitajt në të majtë.
Mesfusha qendrore pritet të dominohet nga futbollistë që aktivizohen në Serie A, me Kristjan Asllanin dhe Ylber Ramadanin që do të mbulojnë njëri-tjetrin në fazën e mbrojtjes dhe sulmit. Në mbështetje të tyre, në rolin e mesfushorit sulmues, mund të aktivizohet Qazim Laçi ose Nedim Bajrami, me këtë të fundit që ka treguar formë të mirë kohët e fundit.
Në repartin e sulmit, duken të sigurt Arbër Hoxha në krahun e majtë dhe Jasir Asani në krahun e djathtë. Ndërsa në majën e sulmit, pritshmëritë janë që Sylvinho t’i besojë Armando Brojës për të udhëhequr fazën ofensive të kuqezinjve në këtë sfidë kyçe ndaj Serbisë.
Megjithatë, duhet theksuar se ky është një formacion i mundshëm i bazuar në tendencat e fundit, dhe vendimi final i takon trajnerit Sylvinho pak para fillimit të ndeshjes nesër në mbrëmje.