Pezullimi i përkohshëm i Lotarisë Amerikane (Diversity Visa) ka ngritur shqetësime të shumta te mijëra aplikantë, përfshirë edhe shqiptarët që çdo vit presin me interes këtë program emigrimi.
I ftuar në A2 CNN, eksperti i emigracionit në Shtetet e Bashkuara, Lorenc Mansaku, deklaroi se situata mbetet e paqartë dhe se pezullimi mund të ndikojë edhe te personat që tashmë e kanë fituar lotarinë.
Sipas Mansakut, aktualisht janë pezulluar të gjitha aplikimet për ndryshim statusi brenda SHBA-së, ndërkohë që Departamenti i Shtetit, në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare, po shqyrton hapat e mëtejshëm.
“Nuk kanë dalë ende udhëzime të qarta. Jemi në një fazë zhvillimi dhe flasim ende hipotetikisht, por ekziston rreziku që pezullimi të shtrihet edhe te intervistat në konsullata, përfshirë edhe Shqipërinë,” u shpreh Mansaku.
Eksperti theksoi se, nëse kjo ndodh, edhe fituesit që janë në pritje të intervistës mund të përballen me vonesa ose pezullim të procesit.
“Kam frikë se ky pezullim mund të zgjasë dhe ndoshta të shkojë përtej afatit të programit, i cili përfundon më 30 shtator 2026,” paralajmëroi ai.
Mansaku kujtoi se Lotaria Amerikane nuk mund të hiqet përfundimisht pa një vendim të Kongresit, pasi kjo do të kërkonte ndryshime në Akti i Emigracionit dhe Nënshtetësisë. Megjithatë, sipas tij, administrata aktuale po synon një rishikim të politikave të emigracionit, duke favorizuar emigrantë të kualifikuar dhe kritere më të forta pranimi.
Në këtë situatë të paqartë, eksperti dha edhe një këshillë të drejtpërdrejtë për ata që tashmë e kanë marrë vizën:
“Këshilla ime është që të udhëtojnë sa më shpejt. Nuk dihet se çfarë udhëzimesh mund të dalin më vonë për personat që kanë fituar vizën. Nëse dikush ka kryer intervistën dhe ka marrë vizën, duhet të udhëtojë menjëherë për të shmangur çdo pasiguri të mëvonshme.”
I pyetur nëse ekziston rreziku që këta persona të kthehen mbrapsht pasi të kenë hyrë në SHBA, Mansaku u përgjigj se kjo nuk pritet të ndodhë.
“Në momentin që një person hyn në Shtetet e Bashkuara, ai konsiderohet mbajtës i Green Card. Mund të ketë vonesa në pajisjen fizike me kartën, por statusi i tij ligjor mbetet i garantuar,” sqaroi ai.
