Është zbardhur kërkesa e plotë e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit, për dhënien e autorizimit për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Në shkresë theksohet se SPAK kërkon dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, në atë të arrest në burg/në shtëpi.
Kërkesa është dërguar sot më (16 dhjetor 2025) dhe Këshilli i Mandateve pritet të mblidhet ditën e premte më (19 dhjetor 2025) për të shqyrtuar imunitetin e Belinda Ballukut.
“Mbështetur në nenet 73, 95,103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,
për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”,
e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi,
parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjithashtu, në respektim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse,
si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, datë 16.12.2025.”,- thuhet në kërkesën e SPAK.

