Një tërmet me magnitudë 5.3 i shkallës Rihter ka goditur Malin Athos në veri të Greqisë pasditen e sotme. Sipas Institutit të Gjeodinamikës të Athinës, epiqendra e tërmetit ka qenë në zonën detare, vetëm 9 kilometra në perëndim-veriperëndim të Karies.
Tërmeti, i cili u regjistrua në orën 15:48 me orën lokale, kishte një thellësi të cekët prej 12.5 kilometrash. Lëkundjet sizmike u ndjenë veçanërisht në Selanik, i banuar shumë nga shqiptarë, por edhe në Halkidiki, Thasos, Kavala dhe zona të tjera përreth.
Pesë minuta më vonë, në orën 15:53, u regjistrua edhe një tërmet i dytë me magnitudë 3.8 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër në të njëjtën zonë.
Sipas profesorit të Seizmologjisë në Universitetin Aristoteli të Selanikut (APTH), Kostas Papazachos, i cili foli për Voria.gr, bëhet fjalë për një tërmet tipik sipërfaqësor që ndodhi në një zonë pranë Manastirit të Dochiariout. Ai theksoi se kjo zonë ka qenë aktive me lëkundje të vogla sizmike për disa muaj.
Profesori Papazachos shtoi se sipas raporteve të para nga manastiret, përfshirë Manastirin e Xenofontos dhe Karies, nuk janë shkaktuar dëme të mëdha. Ai paralajmëroi se pritet të ketë aktivitet të theksuar sizmik në orët e ardhshme. Autoritetet lokale janë në gatishmëri për të vlerësuar çdo dëm të mundshëm pas tërmetit.