Bota e artit shqiptar ka humbur sot një nga emrat e saj të shquar, me ndarjen nga jeta të regjisorit Leka Bungo në moshën 81-vjeçare. Lajmi i trishtë ka prekur artistë dhe dashamirës të artit në vend.
Regjisori Leka Bungo do të përcillet për në banesën e fundit nesër, të mërkurën, 11 qershor, në orën 16:00. Ceremonia mortore do të zhvillohet në varrezat e Sharrës në Tiranë.
Leka Bungo lindi më 28 shkurt 1944 në Vlorë dhe gjatë karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme, la një trashëgimi të rëndësishme në teatër, film dhe televizion. Ai kreu studimet e larta për aktorë në shkollën “Aleksandër Moisiu” dhe më pas ndoqi një kurs njëvjeçar për regji në Institutin e Lartë të Arteve.
Për një periudhë kohe, Bungo punoi si regjisor në teatrin “Bylis” të Fierit, duke vënë në skenë një sërë shfaqjesh të suksesshme. Në fund të viteve ’80, ai u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, ku shfaqi një numër veprash që trajtonin probleme të mprehta sociale të kohës, duke përdorur shpesh satirën si element kryesor.
Pas viteve ’90, Leka Bungo krijoi teatrin privat “Rubairat” në hollin hyrës të Teatrit Kombëtar. Edhe pse fillimisht u prit mirë, teatri humbi shpejt fokusin artistik dhe u mbyll në vitin 2001 gjatë rikonstruksionit të hollit të teatrit. Pas vitit 2002, ai emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përveç punës së tij si regjisor dhe aktor, Leka Bungo ka lënë gjurmë edhe si dramaturg dhe skenarist. Ai është autor i dramës “Pabesia”, si dhe i skenarëve të filmave të njohur si “Pas fasadës” dhe “Gjuetia e fundit”. Në filmin e vitit 1990 “Një djalë edhe një vajzë”, ai interpretoi rolin e Bardhylit.
Një nga angazhimet e fundit të Leka Bungos në Shqipëri ishte zgjedhja si Kryetar i Bordit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar (RTSH) në vitin 2021, detyrë të cilën e mbajti deri dy muaj para ndarjes së tij nga jeta. Humbja e Leka Bungos është një humbje e madhe për artin dhe kulturën shqiptare.