Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vendosur të miratojë këtë të hënë kërkesën për hapjen e të gjitha kutive të votimit në qarkun e Fierit. Vendimi i KAS-it urdhëron rinumërimin e votave në 587 Qendra Votimi në këtë qark. Ky vendim u mor me votat e dy anëtarëve të KAS-it, Ledio Braho dhe Elvis Cefa.
Ky është rinumërimi i dytë i plotë në nivel qarku i vendosur nga KAS pas zgjedhjeve të fundit të vitit 2025, duke ndjekur vendimin e mëparshëm për rinumërimin e votave në qarkun e Tiranës.
Kërkesa për rinumërimin e kutive në qarkun e Fierit u paraqit fillimisht nga koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kjo kërkesë më pas mori mbështetjen edhe të koalicionit opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë e Mirë (PD-ASHM)”.
Sipas njoftimeve, rinumërimi i votave në Fier pritet të nisë në ditët në vijim. Ambientet ku do të zhvillohet procesi i rinumërimit do të përcaktohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Procesi do të mbikëqyret nga përfaqësues të partive politike të përfshira në zgjedhje.
Vendimi i KAS-it për rinumërimin e votave në Fier vjen në një kohë kur opozita ka ngritur pretendime të vazhdueshme për parregullsi të shumta në procesin e numërimit të votave dhe në rezultatin final të zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2025.