Aktivitetet sizmike në Shqipëri nuk kanë të ndalur. Pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 4.4 të shkallës Rihter që tronditi vendin në orët e para të mëngjesit dhe pasgoditjes me magnitudë 3.3 të regjistruar pasdite, një tjetër lëkundje sizmike është ndjerë mbrëmjen e së martës në Tiranë.
Sipas informacioneve të fundit, tërmeti i mbrëmjes së sotme ka pasur një magnitudë prej 3.5 ballë të shkallës Rihter. Lëkundjet janë ndjerë, veçanërisht në katet e larta të ndërtesave në kryeqytet.
Ashtu si në dy rastet e mëparshme, edhe epiqendra e këtij tërmeti të fundit është lokalizuar mes Tiranës dhe Fushë Krujës, me një thellësi fokale prej 5 kilometrash. Kjo thellësi e cekët bën që lëkundjet të ndihen më intensivisht në sipërfaqe.
Deri më tani, nuk ka raportime për dëme materiale të reja apo për persona të lënduar si pasojë e kësaj lëkundjeje të fundit. Instituti i Gjeoshkencave në Shqipëri po monitoron nga afër situatën dhe pritet të japë informacione të mëtejshme në orët e ardhshme nëse do të ketë zhvillime të reja. Ky aktivitet i shtuar sizmik brenda ditës së sotme tregon për një periudhë të paqëndrueshme gjeologjike në zonën e Shqipërisë qendrore.
Megjithatë sipas sizmiologëve, nuk ka vend për alarm.
“Është një tërmet i regjistruar në shkallë të moderuar. Vjen pas dhjetëra pasgoditjesh. Dhe kjo zonë, që prej janarit, është dalluar për aktivitet sizmik. Por është aktivitet normal,” – u shpreh Dushi per mediat.
Nga ana tjetër, Instituti i Gjeoshkencave ka bërë me dije se është në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të informohen vetëm nga burime zyrtare dhe të mos përhapin panik.
Sizmiologët kanë theksuar gjithashtu se ky tërmet nuk ka lidhje apo krahasim me intensitetin e tërmetit të rëndë të vitit 2019.
