Bota e kinemasë italiane dhe e komedisë ka humbur një figurë të dashur. Aktori dhe komediani i njohur Alvaro Vitali, i njohur gjerësisht për rolin e tij ikonik si Pierino dhe për pjesëmarrjen në shumë filma komikë italianë seksi, ka ndërruar jetë në Romë në moshën 75-vjeçare.
I lindur më 3 shkurt 1950, Vitali u shtrua në spital dy javë më parë për shkak të bronkopneumonisë së përsëritur, siç deklaroi ish-bashkëshortja e tij, Stefania Corona.
Karriera e Vitalit mori hov pasi u zbulua nga regjisori i famshëm Federico Fellini gjatë një audicioni. Ai bëri debutimin e tij kinematografik në vitin 1969 me një rol të vogël në filmin “Fellini Satyricon”. Më pas, ai u shfaq në filma të tjerë të Fellinit si “I clowns” (1971) dhe “Roma” (1972), ku interpretoi një balerin tap në një shfaqje vaudeville. Të njëjtin rol e pati edhe në filmin “Polvere di stelle” (1973), me regji dhe protagonist Alberto Sordi, dhe në filmin e njohur “Amarcord” (1973), së bashku me Ciccio Ingrassia.
Gjatë karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme, Alvaro Vitali ka luajtur në mbi 150 filma, duke u bërë një fytyrë e njohur e kinemasë italiane, sidomos në zhanrin e komedisë.
Me rënien e popullaritetit të komedive seksi në të cilat ai interpretonte rregullisht, Vitali u tërhoq nga skena e madhe kinematografike, por u rikthye më vonë në televizion në programin “Striscia la Notizia”, ku interpretoi personazhe të ndryshëm, përfshirë Jean Todt, drejtorin e atëhershëm të Skuderisë Ferrari. Në vitin 2006, ai mori pjesë në edicionin e tretë të reality show-t “La fattoria”, por u detyrua ta braktisë për shkak të problemeve shëndetësore me astmën.
Vetëm pak ditë më parë, ai ishte rikthyer në qendër të vëmendjes për një takim publik me ish-gruan e tij, këngëtaren dhe kompozitoren Stefania Corona. Lajmi i ndarjes së tij nga jeta ka shkaktuar trishtim dhe reagime të shumta nga kolegë, miq dhe adhurues të tij të shumtë.

