Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se do të ndajnë nga 100 për fëmijët deri në 16 vjeç dhe për pensionistët në Kosovë. “Të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë do t’i përfitoni nga 100 euro secili”, ka deklaruar kreu i qeverisë së Kosovës.
Postimi i Kurtit:
Me 28 dhjetor fitojmë bindshëm dhe festojmë, pastaj me 29 dhjetor gëzohen të gjithë fëmijët e pensionistët.
Sepse me fitoren tonë, Viti i Ri vjen më herët.
Sikurse çdo vit, edhe sivjet kemi vendosur të mbështesim fëmijët dhe pensionistët me shtesat e fundvitit prej 100 eurove.
Mosvotimi i buxhetit nga opozita na e ka vështirësuar punën tejmase, mirëpo ne e kemi bërë të pamundurën që edhe këtë vit të sigurojmë mbështetjen e fundvitit, e cila do të procedohet para natës së Vitit të Ri.
Urime festat e fundvitit, dhe t’i gëzoni bashkë me familjet tuaja!
Qeveria e Kosovës nxori një skemë në vitin 2021 për t’i paguar fëmijët nën moshën 16-vjeçare në baza mujore fillimisht me nga 10 euro dhe 20 euro në muaj për fëmijë.
Kurti paraqiti një skemë të re për pagesat për fëmijë në gusht të këtij viti me një rritje të vogël.
Sipas skemës së re, fëmija i parë dhe i dytë në familje paguhet nga 20€ në muaj secili, ndërsa për nënat që kanë tre fëmijë e më shumë, secili prej tre fëmijëve paguhet nga 30 euro.
Nga skema e shtesave për fëmijë, përfitojnë mbi 400.000 fëmijë, sipas Qeverisë. Kosto vjetore e skemës së re parashihet të jetë 120 milionë euro.
