Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Këtë njoftim e bëri të premten Ambasada amerikane në Prishtinë, duke theksuar se shkak janë bërë veprimet e Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Shqetësimet e SHBA-së
Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, Ambasada amerikane shpjegoi se veprimet e Qeverisë Kurti kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë”, duke e bërë të vështirë për SHBA-në të punojë në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta.
Dialogu strategjik, që pritej të finalizohej këtë vit, synonte të forconte lidhjet ekonomike dhe diplomatike mes dy vendeve. Por, sipas ambasadës, “veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”.
SHBA-ja shprehu shpresën që këto përpjekje të vazhdojnë në të ardhmen, “kur kushtet të jenë të përshtatshme”. Ambasada përsëriti angazhimin e saj për të ndihmuar Kosovën drejt paqes dhe stabilitetit, por theksoi se kjo kërkon një klimë bashkëpunuese nga të dyja palët.
