Një nga ikonat e muzikës shqiptare, Parashqevi Simaku, ka dhënë një rrëfim ekskluziv dhe të pazakontë për gazetarin Blendi Fevziu në emisionin “Opinion”. Gjatë intervistës, ajo ka folur hapur për jetën, karrierën dhe ndjenjat, duke shpërfaqur detaje të panjohura më parë.
Rrëfimi tronditës për dashurinë
Në një prej pjesëve më të sinqerta të intervistës, Parashqevi Simaku bëri një deklaratë që ka befasuar shumë njerëz: “S’kam rënë kurrë në dashuri!” Ajo shpjegoi se, ndonëse është ndier e dashuruar nga shumë njerëz gjatë karrierës së saj, nuk e ka përjetuar vetë ndjenjën e dashurisë. Simaku e përshkroi veten si një person “shumë të thjeshtë”, që nuk vishej me rroba luksoze apo përdorte makijazh, edhe në vitet e saj të para në shkollë.
Jeta në SHBA dhe largimi nga muzika
Këngëtarja kujton me nostalgji vitet e para në Shtetet e Bashkuara, duke i cilësuar si “një mrekulli, sikur ishte në parajsë”. Ajo tregoi se martesa me bashkëshortin e saj, Robert Nofle, e bëri të humbiste disi interesin për t’u bërë pjesë e skenës së Hollywood-it.
Në vitin 1997, ajo u rikthye përkohësisht në Shqipëri për të kënduar në një festival, por pas vdekjes së babait të saj në vitin 2004, ajo nuk ka shkelur më në vendlindje për 21 vjet. Simaku ndau edhe një detaj emocional nga martesa e saj: Babai i kishte kërkuar të mos ndahej nga “kismeti i parë”, duke e shtyrë atë të martohej me Robertin me “adetët e Kavajës”, pas një propozimi romantik me unazë diamanti.
Debutimi dhe mbështetja nga artistët
Parashqevi Simaku kujton edhe herën e parë kur u ngjit në skenë në vitin 1981, duke thënë se ishte shumë e emocionuar. Ajo rrëfeu se dueti i saj i parë me Hysni Zelën u shty pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, një ngjarje që krijoi një atmosferë të rëndë. Për fat të mirë, ajo mori mbështetje nga artistë të tjerë, si Alida Hysku, e cila e inkurajoi para se të dilte në skenë. Ndonëse këndoi me emocion, arriti të zërë vendin e dytë dhe u duartrokit dy herë nga publiku që nuk e njihte ende. Ajo ndau edhe një detaj personal, se fustanin e parë të skenës e kishte marrë nga nusja e xhaxhait të saj.
