Detektivja e njohur shqiptare, Shkënda Lila, ka qenë e ftuar në emisionin “Wake Up”, ku ka ndarë detaje të reja rreth trendeve të tradhëtisë në vend. Sipas saj, skenari i zakonshëm ku burrat e moshuar tradhëtojnë me vajza të reja ka ndryshuar ndjeshëm, pasi “pushteti” i tradhëtisë është zgjeruar.
Ndryshimi i trendit: “Gratë me pushtet dhe para”
Lila theksoi se sot është shtuar dukuria e grave në moshë, me fuqi dhe para, të cilat krijojnë lidhje me djem të rinj. Ajo shpjegoi se ky fenomen tregon një ndryshim të dinamikave shoqërore, duke theksuar se tradhëtia nuk është më një monopol i burrave. “Nuk janë vetëm burrat e moshuar me vajza të reja. Por ne bëjmë vetëm punën,” u shpreh ajo, duke treguar se përvoja e saj profesionale ka vërejtur një trend të ri.
Arsyeja pas tradhëtisë: Adoleshenca e dytë
Detektivja gjithashtu shpjegoi se një tjetër arsye e zakonshme për tradhëtinë janë martesat e hershme. Sipas saj, njerëzit që martohen në një moshë të re, pa i përjetuar eksperiencat e jetës kur duhet, janë më të prirur të tradhëtojnë më vonë. Ajo e quajti këtë periudhë si “adoleshenca e dytë”.
“Tani kanë kaluar adoleshencën e dytë, kanë vënë gjërat në vij dhe nisin e tradhëtojnë. Harrojnë që kanë një familje pas, kanë fëmijë,” tha Lila, duke theksuar se shpeshherë, kërkimi i eksperiencave të humbura i bën këta individë të lënë pas dore përgjegjësitë familjare.
