Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel, ka deklaruar se vendi i tij po përballet me një rrezik të lartë agresioni nga Shtetet e Bashkuara dhe, për këtë arsye, ka nisur një plan për rritjen e gatishmërisë mbrojtëse të popullsisë.
Gjatë një takimi me aktivistë të huaj që po dërgonin ndihmë humanitare në ishull, Diaz-Canel e përshkroi situatën si “shumë serioze”, duke e lidhur atë me presionin e shtuar të Uashingtonit dhe me bllokadën energjetike që, sipas tij, e ka thelluar edhe më tej krizën e brendshme.
“Ne e pranojmë se mund të ketë një agresion kundër Kubës dhe kemi nisur një plan përgatitor për të rritur gatishmërinë e popullit tonë për mbrojtje, në interes të luftës së të gjithë popullit”, është shprehur presidenti kuban, duke theksuar se koncepti i mbrojtjes së vendit, sipas Havanas, është “jo agresiv”.
Deklaratat e tij vijnë në një moment tensionesh të larta mes dy vendeve. Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, Trump ka deklaruar së fundmi se mund të “marrë” Kubën dhe se ndaj ishullit është ushtruar tashmë presioni maksimal, ndërsa administrata amerikane ka shtuar masat ndaj sektorit energjetik kuban.
Diaz-Canel tha gjithashtu se udhëheqja kubane mbetet e bashkuar dhe se vendimmarrja vazhdon të bëhet në mënyrë kolektive, me Raul Castron që, sipas tij, vijon të ketë rol në drejtimin politik të vendit.
Nga ana tjetër, zyrtarë kubanë kanë përsëritur se sistemi politik i vendit dhe presidenca nuk janë objekt negociatash me SHBA-në. Kjo vjen pas raportimeve se Uashingtoni ka kërkuar largimin e Diaz-Canel nga pushteti si pjesë e diskutimeve të mundshme mes palëve. Ndërkohë, pavarësisht retorikës së ashpër, mediat ndërkombëtare raportojnë se kontaktet dypalëshe mes Kubës dhe SHBA-së kanë vijuar.

Kriza energjetike në Kubë është përkeqësuar ndjeshëm javët e fundit. Raportet e fundit flasin për mungesë të theksuar karburanti, ndërprerje të gjera të energjisë elektrike dhe ardhjen e ndihmave humanitare nga grupe ndërkombëtare, në një përpjekje për të zbutur pasojat sociale dhe ekonomike të situatës.
Në këtë klimë, deklaratat e kreut të shtetit kuban shihen si një sinjal i qartë se Havana po përgatitet për një përshkallëzim të mëtejshëm të përplasjes politike me Uashingtonin, ndërsa përpiqet njëkohësisht të përballojë krizën e brendshme.
