Pas përjashtimit të bujshëm të saj dhe aktorit Florian Binaj nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”, aktivistja dhe juristja Edlira Çepani ka reaguar publikisht për herë të parë, duke hedhur akuza të nënkuptuara dhe mesazhe të drejtpërdrejta ndaj liderit të kësaj nisme, Adriatik Lapaj.
E ftuar në emisionin “Log.” në News24, Çepani u përball me një pyetje të drejtëpërdrejtë nga gazetari Endri Xhafo mbi largimin e saj nga lëvizja që dikur e promovoi publikisht si një model të ri qytetar për angazhim politik. Dhe përgjigjja e saj nuk la vend për interpretime të buta: ajo distancoi veten nga çdo lidhje me një parti politike, duke nënvizuar se ajo ka qenë dhe mbetet pjesë e një lëvizjeje qytetare me shtylla të qarta vlerash, jo e një strukture partiake me interesa të ngushta.
“Unë nuk kam qenë asnjëherë pjesë e një partie politike. Kam ngritur një lëvizje që kishte katër shtylla thelbësore: drejtësi, barazi, meritokraci dhe transparencë,” – tha Çepani, duke lënë të kuptohet se këto parime nuk po respektohen më në formacionin që sot drejtohet nga Adriatik Lapaj.
Gjatë intervistës, Xhafo përmendi një koment të gazetarit Erla Mëhilli, e cila në emisionin e saj i kishte drejtuar një pyetje Lapajt mbi faktin që në nisje të nismës ai kishte pranë emra si Florian Binaj dhe Edlira Çepani, të cilët më pas u zhdukën nga skena. Kur u pyet ku janë sot ata njerëz, Lapaj nuk dha përgjigje konkrete.
Kjo heshtje u komentua nga vetë Çepani me një buzëqeshje ironike dhe një deklaratë therëse:
“Dhe kur ajo lëvizje u kthye në parti, nuk i donte më gratë… Si shumë të tjera,” – u shpreh ajo, duke aluduar për një kulturë patriarkale dhe përjashtuese brenda strukturës së re që po ngrihet nën emrin e “Shqipëria Bëhet”.
Deklarata e saj ka hapur një tjetër valë reagimesh në rrjet dhe në opinionin publik, ku shumë qytetarë që ndoqën me interes nismën fillestare, po shprehin zhgënjimin e tyre për mënyrën si janë përjashtuar ose anashkaluar zërat që në fillim i dhanë legjitimitet moral dhe qytetar kësaj lëvizjeje.
Kritikat e Çepanit, të thëna me gjuhë të qetë por të mprehtë, duken si një refuzim i qartë për t’u bërë pjesë e një “partie të re” që ndjek të njëjtat modele të vjetra politike, ku pushteti, protagonizmi dhe ambicia personale zëvendësojnë parimet e përbashkëta dhe bashkëpunimin.
Nëse lëvizja “Shqipëria Bëhet” synon të përfaqësojë një alternativë reale dhe të besueshme në skenën politike shqiptare, atëherë përplasjet si kjo me Edlira Çepanin mund të bëhen një pikë kthese ose një shenjë alarmi për mënyrën si strukturohet dhe përfshin zërat që e ngritën në piedestal.