Ushtria amerikane kreu një sulm vdekjeprurës kundër një anijeje në Paqësorin lindor të martën, duke vrarë të dy personat në bord, sipas Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth.
Sulmi ndaj anijes në Paqësor, sulmi i 8-të i njohur nga ushtria amerikane ndaj një anijeje të dyshuar për kontrabandë droge që nga fillimi i shtatorit, duket se shënon një zgjerim të fushatës ushtarake amerikane, me të shtatë sulmet e mëparshme që kishin në shënjestër anijet në Detin e Karaibeve.
Të paktën 34 persona në total janë vrarë në tetë sulmet, thanë zyrtarët.“Narko-terroristët që synojnë të sjellin helm në brigjet tona, nuk do të gjejnë asnjë strehë të sigurt askund në hemisferën tonë”, tha Hegseth të mërkurën.
Hegseth tha se anija e synuar në Paqësor “operohej nga një Organizatë e Caktuar Terroriste dhe kryente trafik narkotikësh në Paqësorin Lindor” dhe “ishte e njohur nga inteligjenca jonë si e përfshirë në kontrabandën e paligjshme të narkotikëve, po kalonte përgjatë një rruge të njohur tranziti të trafikut të narkotikëve dhe transportonte narkotikë”.
Sekretari shtoi se asnjë forcë amerikane nuk u lëndua në sulm dhe i krahasoi trafikantët me al-Kaedën.
“Ashtu si Al Kaeda bëri luftë kundër atdheut tonë, këto kartele po bëjnë luftë kundër kufirit dhe popullit tonë. Nuk do të ketë strehim apo falje – vetëm drejtësi”, shkroi ai.
Aministrata Trump ka hartuar një opinion ligjor të klasifikuar që kërkon të justifikojë sulmet vdekjeprurëse kundër një liste sekrete dhe të gjerë kartelesh dhe trafikantësh të dyshuar droge, raportoi CNN.
Ekspertët ligjorë i thanë më parë CNN-së se ky mendim është domethënës sepse i trajton trafikantët e drogës si luftëtarë armiq që mund të vriten menjëherë pa asnjë lloj shqyrtimi gjyqësor. SHBA-të goditën të paktën dy anije të tjera javën e kaluar në Karaibe, njëra prej të cilave nuk vrau të gjithë personat në bord. Në vend që të mbanin dy të mbijetuar të ndaluar nga Marina Amerikane pas njërit prej këtyre sulmeve, SHBA-të i riatdhesuan të mbijetuarit në vendet e tyre të origjinës, Ekuador dhe Kolumbi.
Situata potencialisht do të krijonte një dilemë ligjore dhe politike për administratën, sepse nuk ishte e qartë se çfarë autoriteti ligjor do të ishte në gjendje të përmendte ushtria amerikane për t’i ndaluar ata për një kohë të pacaktuar.
