Administrata Trump vendosi të mërkurën sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, ndërsa i bëri thirrje Moskës të bjerë dakord për një armëpushim të menjëhershëm në luftën me Ukrainën.
Presidenti Donald Trump kishte sinjalizuar për javë të tëra se mund të vendoste sanksione kundër Rusisë për vazhdimin e luftës, por nuk kishte arritur të merrte masa të mëdha ndëshkuese deri të mërkurën.
“Tani është koha për të ndaluar vrasjet dhe për një armëpushim të menjëhershëm”, tha Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, në një deklaratë të mërkurën duke njoftuar sanksionet.
“Duke pasur parasysh refuzimin e Presidentit Putin për t’i dhënë fund kësaj lufte të pakuptimtë, Thesari po vendos sanksione për dy kompanitë më të mëdha të naftës në Rusi që financojnë makinën e luftës së Kremlinit.”
“Thesari është i përgatitur të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme për të mbështetur përpjekjet ea Presidentit Trump për t’i dhënë fund një lufte tjetër. Ne i inkurajojmë aleatët tanë të bashkohen me ne dhe t’u përmbahen këtyre sanksioneve”, tha ai.
Sanksionet goditën Rosneft dhe Lukoil dhe pothuajse tre duzina degë të tyre.
Më herët të mërkurën, Bessent i kishte paraprirë sanksionet si “një nga më të mëdhatë”, duke vënë në dukje zhgënjimin e Trump me presidentin rus Vladimir Putin dhe gjendjen e bisedimeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, pas një samiti në Alaska më shumë se dy muaj më parë.
“Presidenti Putin nuk është ulur në tryezën e bisedimeve në një mënyrë të ndershme dhe të hapur siç shpresonim. Pati bisedime në Alaska; Presidenti Trump u largua kur e kuptoi se gjërat nuk po ecnin përpara”, tha Bessent për Fox Business. “Ka pasur bisedime prapa skenave, por besoj se presidenti është i zhgënjyer me… se ku jemi në këto bisedime.”
“Këto janë sanksione, jo tarifa dytësore”, shtoi Bessent. “Këto do të jenë të konsiderueshme dhe të fuqishme, dhe ne po i nxisim aleatët tanë evropianë dhe të G7, plus Kanadanë dhe Australinë, të bashkohen me ne.”
