Një qytetar shqiptar nga Puka, i cili prej vitesh jeton dhe punon në Itali, ka ndarë me redaksinë e “ShkodraNews” një histori personale që përshkohet nga përkushtimi, sakrifica dhe në fund – zhgënjimi i thellë.
Ai rrëfen se bëri gjithçka që gruaja e tij të kishte një jetë të denjë në emigracion, edhe pse ajo ende nuk kishte mundur të punësohej apo të mësonte gjuhën. Me bindjen se dashuria dhe mbështetja e pakushtëzuar janë themeli i një martese të fortë, ai punonte në dy vende njëkohësisht, vetëm që asaj të mos i mungonte asgjë. Por asgjë nuk e kishte përgatitur për atë që do të zbulonte një natë që vendosi të kthehej papritur në shtëpi.
“Jam 35 vjeç, nga Puka. Jetoj prej vitesh në Itali. Gruan e solla këtu pak kohë më parë dhe po mundohej të integrohej. Nuk kemi fëmijë. Unë punoj shumë – në dy vende – që ajo të ketë gjithçka i duhet. Por ajo ma ktheu me tradhti,” – shkruan burri i zhgënjyer.
Ai rrëfen se bashkëshortja kishte krijuar një lidhje paralele me një tjetër shqiptar që jeton në të njëjtin qytet, të cilin e kishte njohur, sipas tij, në rrugë, ndërsa blinte bizhuteri të lira. Fillimisht kishte vënë re sjellje të çuditshme, por nuk kishte dyshuar se gjërat kishin shkuar kaq larg.
“E gjithë jeta ime u përmbys atë natë. Isha turni i tretë, por më lindi ideja t’i bëja një surprizë. Një koleg më detyrohej disa orë, ndaj dola më herët nga puna. Sa po ngjisja shkallët e pallatit, më pushtoi një parandjenjë e keqe. I trokas derës, askush. E hap me çelës, brenda qetësi e plotë,” – shkruan ai.
Momenti më i rëndë erdhi kur hyri në kuzhinë dhe gjeti bashkëshorten me një tjetër mashkull ulur në errësirë. Edhe pse ata nuk po kryenin akt intim, prania e tij në shtëpinë e tyre dhe heshtja e tensionuar ishin më se të qarta për të kuptuar që diçka nuk shkonte.
“S’kishte ku të shkonte. Kat i katërt. Nuk mund të hidhej nga ballkoni. Filluan të më thonin që ishin miq nga Shqipëria, që ai kishte ardhur të qante hallin. Donin të më quanin budalla. I nxora jashtë të dy,” – vijon ai me dhimbje.
Sot, ai është në proces divorci dhe ndodhet në një fazë të vështirë emocionale e psikologjike. Megjithatë, ka vendosur të ndajë historinë për të paralajmëruar të tjerë që japin gjithçka nga vetja, pa e ditur nëse personi përballë e meriton realisht atë përkushtim.
“E kam shumë të vështirë, por kështu paska qenë kjo jetë. Kujdes me kë i jepni gjithçka. Jo gjithkush e meriton. Faleminderit që më dhatë mundësinë të nxjerr një pjesë të peshës që mbaj,” – përfundon ai rrëfimin.