Një lajm i dhimbshëm ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, ku është konfirmuar zyrtarisht se 26-vjeçari nga Shkodra, Igli Laçej, i cili ishte raportuar i zhdukur prej disa ditësh, është gjetur fatkeqësisht i pajetë në ujërat e Liqenit të Shkodrës.
Trupi i tij është zbuluar këtë pasdite rreth orës 18:40 nga disa peshkatarë të zonës, të cilët njoftuan menjëherë autoritetet. Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Shtetit, trupi i të ndjerit është gjetur pa shenja dhune, duke përjashtuar për momentin dyshimet për një ngjarje kriminale.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se paraprakisht dyshohet se i riu mund të jetë përballur me probleme të rënda psikologjike, konkretisht depresion, por vetëm hetimet e mëtejshme dhe ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojnë shkakun përfundimtar të vdekjes.
Kujtojmë se JOQ Albania publikoi para dy ditësh një apel të familjes së Laçej, e cila kishte humbur çdo kontakt me të dhe kërkonte ndihmën e qytetarëve për gjetjen e tij. Igli ishte parë për herë të fundit në zonën e Perashit në Shkodër, para se të zhdukej pa lënë gjurmë.
Ngjarja ka tronditur jo vetëm familjarët, por edhe komunitetin shkodran, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan në këtë fund tragjik.
