Profesori i vetëshpallur, Pëllumb Pilinçi, pas prezantimit të qeverisë së tij në hije në Vlorë, ka bërë sërish bujë me një mesazh të drejtpërdrejtë për Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.
Pilinçi i drejtohet Trumpit me ton të ashpër, duke e paralajmëruar: “President, je ngatërruar në Amerikë, ke vajtur shumë herë në gjyqe për femra, por mos u ngatërro me tokën e shqiptarëve.” Më tej, ai i referohet dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner, duke thënë se ai nuk ka para, por se vetë presidenti nuk do ta lejonte këtë veprim nëse do të ishte në dijeni. Pilinçi i kujton Trumpit se Kushtetuta Amerikane e ndalon rreptësisht një president në detyrë të bëjë tregti me një vend tjetër.
Pilinçi kërkon nga Trumpi që të dalë publikisht dhe të deklarojë se vajza dhe dhëndri i tij “nuk kanë punë në tokën e Shqipërisë”. Ai gjithashtu e “thumbon” Trumpin duke i thënë se ai vetë u bë republikan para tij dhe se është “amerikan më i vjetër” se vetë presidenti.
Mbetet e paqartë se çfarë e ka nxitur këtë reagim të ashpër të Pilinçit ndaj Trumpit, por raportimi i medieve sugjeron se përveç çështjes së Sazanit, Pilinçi mund të jetë i pakënaqur që nuk është konsultuar për çështjen e Ukrainës.