Julian Balla, një nga personat në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit për trafikun e 17 tonëve kokainë, rezulton pronar i resortit “Ajman Park” në Xhafzotaj, Durrës, dhe një vile 2-katëshe tip “ELYSIAN” në Dhërmi, me vlerë mbi 1 milion euro.
Të dyja këto pasuri janë vënë nën sekuestro nga Gjykata e Posaçme me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, si pjesë e hetimeve për pastrim parash dhe përfshirje në trafik ndërkombëtar droge.
Julian Balla rezulton gjithashtu edhe si president i klubit të futbollit “Erzeni” nga Shijaku, i cili garon në Kategorinë e Parë të futbollit.
SPAK ka lëshuar 16 masa sigurie në këtë operacion, ku janë përfshirë figura të njohura në trafikun e drogës, si vëllezërit Çela apo Franc Çopja, dhe pastrimin e parave, përfshirë dhe persona me investime të mëdha në Shqipëri.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ushtruar një kontroll të befasishëm në ambientet e “Klajdi Resort”, një strukturë turistike në pronësi të shtetasit Orman Kokoshi. Operacioni u zhvillua në kuadër të hetimeve të një dosjeje të rëndë kriminale që lidhet me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrollit, hetuesit e SPAK sekuestruan telefonin celular të Kokoshit, si provë materiale që mendohet se mund të ndihmojë në zbardhjen e lidhjeve të tij të mundshme me rrjetin kriminal që autoritetet kanë goditur së fundmi. Ky rrjet, sipas burimeve zyrtare nga SPAK, kishte kapacitetin të ndikonte në çmimin e kokainës në tregjet e mëdha të Europës.
Ky zhvillim vjen menjëherë pas finalizimit të një hetimi të gjerë ndërkombëtar, në të cilin janë sekuestruar rreth 17 tonë kokainë në Belgjikë dhe Gjermani. Strukturat partnere europiane kanë bashkëpunuar me SPAK për të ndjekur gjurmët financiare, kontaktet telefonike dhe vendndodhjet e individëve të përfshirë, mes të cilëve ka dalë edhe emri i Kokoshit.
“Klajdi Resort”, një objekt me aktivitet në turizëm dhe mikpritje, është tashmë pjesë e listës së aseteve dhe strukturave që po i nënshtrohen verifikimit të thelluar për mundësi pastrimi parash apo përdorim logjistik në funksion të aktiviteteve të organizatës.