Disa ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, kur numërimi i votave preferenciale në Tiranë nxori humbësit dhe fituesit e parë me diferenca minimale, disa kandidatë socialistë nuk i rezistuan dot tundimit për të parë me sytë e tyre se si u janë numëruar votat që kanë marrë. Kërkesat që u dërguan në KQZ nuk ishin për rinumërim të votave, as për hapje kutish, por thjesht për të parë edhe një herë materialet filmike të numërimit, që sigurohen lehtësisht nga KQZ.
Të parët që u paraqitën në KQZ ishin Etilda Gjonaj dhe Xhemal Qefalia. Ky i fundit, i kaluar për pak vota nga Ornaldo Rakipi, kishte të gjithë të drejtën të kërkonte transparencë nëpërmjet materialeve filmike. Të njëjtën kërkesë minimale e bëri edhe Blerina Gjylameti, që humbi mandatin pas një gare të fortë me Olta Xhaçkën për disa dhjetëra vota më pak.
Kjo nuk ishte një lëvizje për të vënë në diskutim rezultatin, as një proces që do të detyronte KQZ të hapte kutitë. Si Gjylameti, si Gjonaj, ashtu edhe Qefalia kur panë si i iku mandati për një grusht votash nuk po kërkonin asgjë më shumë se një akt civil të thjeshtë: të merrnin materialet filmike për përdorim të brendshëm, si një mundësi për të parë numërimin e votave me sytë e tyre.
Kërcënimi i Edi Ramës për t’u mbyllur gojën deputetëve
Por ky pretendim minimal që u shfaq nga kandidatët e humbur, në vend se të trajtohej si një e drejtë elementare, u përball me një reagim brutal nga kryeministri Edi Rama. Lapsi.al raportoi që prej së enjtes se pasi Gjonaj dhe Qefalia i dërguan kërkesat në KQZ, vetë kryeministri Rama dërgoi një mesazh kërcënues në grupin e ËhatsApp-it të deputetëve të PS-së.
Ai e nisi me një ton të qetë dhe mirëkuptues mesazhin e zbardhur të plotë nga Lapsi.al, për ta mbyllur me një kërcënim të ftohtë ndaj atyre që nuk do t’i binden.
“Kam marrë njoftim me trishtim për disa iniciativa individuale, për të kërkuar filmime, rinumërime e ku di unë çfarë tjetër për votën preferenciale!” shkruan Rama për të vazhduar me këshillën për të “mos i hyrë asaj rruge”.
“Sepse, së pari, humbja e një gare s’duhet të bëhet shkak për të humbur edhe fytyrën, kur në fakt nuk ka asnjë shans, zero, që me gjithë ata sy mbi ekrane, të ketë devijime vote në përmasa që do ta mbushnin hendekun e kujtdoqoftë me ata që kanë dalë fitues – jo me 10 a 20, por me shumë më tepër vota diferencë nga pasuesit në klasifikim” – thuhet në SMS-në e Ramës të siguruar nga lapsi.al.
“Së dyti, kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë, që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi, e që nuk e meritojnë kurrkund një hije të tillë dyshimi për kontributin e tyre të madh.
E së fundi, përfytyrojeni vetë se sa keq do të ndjehet kushdo që do t’i hyjë kësaj rruge, duke ushqyer qenerinë mediatike, kur në fund, mali i mbarsur mund të mos pjellë as një mi!” – thuhet në mesazhin e Ramës.
PS, si garnizon ushtarak
Nuk shkoi shumë dhe Etilda Gjonaj u tërhoq nga kurioziteti për t’i parë me sytë e saj votat preferenciale.Në një mesazh në rrjetet sociale deklaroi se kishte marrë 5569 vota dhe, me përulësi të detyruar, falënderoi edhe numëruesit – ndonëse nuk e dinte nëse ndonjëri prej tyre mund të kishte “gabuar” me votat duke ia kaluar kolegëve të saj. Më poshtë është kërkesa zyrtare që Etilda Gjonaj dërgoi në KQZ, e cila arsyeton se materialet filmike do të përdoren për “qëllime verifikimi”.
Edhe Xhemal Qefalia ndoqi të njëjtën rrugë, duke u detyruar të kafshojë gjuhën për atë që i kishte thënë mendja doli në media dhe bëri një autokritikë të kohëve të shkuara. “E kisha tërhequr kërkesën për të parë pamjet e numërimit të votave edhe përpara se të reagonte Rama” tha Qefalia, i ndërgjegjshëm se bën pjesë në një parti që ngjan më shumë me një garnizon ushtarak se sa me një organizatë politike.
Më poshtë është kërkesa zyrtare që deputeti Xhemal Qefalia dërgoi në KQZ me qëllim “identifikimin e parregullsive të mundshme gjatë procesit të numërimit të votave, të cilat mund të ndikojnë në rezultatin zgjedhor”.
Ndërkohë e vetmja që i ka qëndruar deri tani bindjes për të parë kamerat është Blerina Gjylameti, ndaj së cilës nisën menjëherë sulmet në media për mosbindje ndaj kryetarit, për një refuzim që në radhët e PS po trajtohet si shkelje e rëndë të disiplinës partiake.
Në një mesazh që ka shpërndarë në rrjetet sociale , Gjylameti shkruan se “Ne nuk bëjmë luftëra të vogla — ne bëjmë beteja të mëdha për jetët e njerëzve, aspak për jetët tona” pa bërë të qartë tërheqjen apo jo nga kërkesa zyrtare në KQZ.
Gjithsesi në kërkesën e Blerina Gjylametit (shiko lart) specifikohet se pamjet filmike të procesit të numërimit kërkohen për “qëllime verifikimi” çka nënkupton një bilanc të brendshëm të punës që është bërë në çdo njësi, përfshirë edhe diasporën.
Ky episod, në dukje i parëndësishëm brenda ngjarjes së madhe të 11 Majit shërben si një shije e parë e qeverisjes së Edi Ramës në mandatin e katërt, kur kërkesa minimale për transparencë është e pakonceptueshme dhe e patolerueshme, as për vetë deputetët socialistë që e kanë humbur të drejtën të shohin rezultatin e vet, jo më ta kontestojnë atë. Sepse siç thotë Rama “Kjo do të thotë të hidhet hije mbi njerëzit tanë që kanë qëndruar pafundësisht nëpër tryeza numërimi… dhe ata nuk e meritojnë një hije të tillë dyshimi.”
Ironikisht, janë po socialistët që e dinë mirë se sa e nevojshme është kjo hije dyshimi mbi tryezat e numërimit.
Në zgjedhjet e vitit 2021, kur u vendos të hapen disa kuti, u zbuluan devijime të shumta të votave preferenciale. Nga rinumërimi doli se Eduard Shalsi kishte 80 vota më tepër; Ylli Shehu, 46; Saimir Hasalla 25 etj.
Vetë Edi Rama mësoi se i kishin “vjedhur” 11 vota në Durrës ku kandidoi për mandatin e deputetit. Por atëherë, hapja e kutive nuk e njollosi procesin. Përkundrazi, e bëri më të ndershëm.
15 vjet larg thirrjes “Hap kutitë ose largohu”
Interesant është fakti se ditën kur Rama po u fliste socialistëve, si një lider që nuk e koncepton dot kërkesën minimale për transparencë, paradoksalisht e njëjta ditë shënoi përvjetorin e një tjetër fjalimi, atë kur Rama mbylli grevën e urisë 15 vite më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Rama në opozitë ka qenë simbol i betejës për transparencë, për të hapur kutitë dhe për të rinumëruar votat.
Greva e urisë e socialistëve nisi më 1 maj dhe u mbyll në 19 Maj 2010, si një protestë e zëshme kur dhjetëra vetë kërkuan një të drejtë bazike, sic ishte ajo e verifikimit të votave në kutitë e votimit në procesin e 2009.
Nën moton “Hap kutitë ose largohu”, Rama i udhëhoqi socialistët drejt sakrificës për kauzën e transparencës në zgjedhje.
Në 19 maj të atij viti, ajo u mbyll mes premtimesh se një ditë, kur PS të vinte në pushtet, asnjë qytetar nuk do t’I mohohej e drejta për të parë votën e tij.
Sot, në 15-vjetorin e asaj greve, të vetmit që s’mund ta shohin dot votën e tyre janë socialistët, dhe jo se po i ndalon Sali Berisha. Por sepse është Edi Rama që i këshillon “të mos i hynë asaj rruge”, si një kërcënim nga qendra e pushtetit, që ka treguar se për të qëndruar në këmbë, i duhet përulja e bijve të tij.