Kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Baba Mondi (Edmond Brahimaj), ka diskutuar mbi ecurinë e propozimit për krijimin e një “shteti Bektashi” në Shqipëri, ide e hedhur nga Kryeministri Edi Rama. Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Insida Albania”, Baba Mondi theksoi se projekti gëzon mbështetjen e gjerë të miqve të komunitetit bektashian, përfshirë komunitetin mysliman dhe atë ortodoks.
Baba Mondi bëri të ditur se është nënshkruar një marrëveshje me këto komunitete për të themeluar një seli botërore të Bektashizmit dhe për t’i dhënë këtij komuniteti një status global. Ai u shpreh se bektashinjtë janë dashamirës të paqes dhe nuk janë faktor ndarës. “Komuniteti Musliman e ka nënshkruar, Komuniteti Ortodoks gjithashtu e ka nënshkruar marrëveshjen që kam bërë me ta — që Bektashizmi të ketë një seli botërore, që të marrë status global. Kështu që ne nuk jemi në luf të me askënd. Luftojmë për veten tonë, të jemi paqësorë, zemërmirë, të edukojmë njerëzit që të kenë dijeni dhe jo injorancë,” – tha Baba Mondi. Ai shtoi se tre armiqtë kryesorë të njerëzimit janë injoranca, varfëria dhe egoizmi individual.
Më tej, Baba Mondi sqaroi se procesi i planit të kryeministrit për krijimin e “shtetit Bektashi” në Shqipëri po vazhdon. Ai bëri të ditur se janë formuar grupe pune të përbashkëta mes përfaqësuesve të qeverisë dhe komunitetit bektashian. “Përveç asaj që kryeministri foli në OKB, procesi po vazhdon. Është tani në dorën e autoriteteve të ecin përpara. Na është dhënë informacion që kjo do të ndodhë, dhe shumë përfaqësues të kryegjyshtetës botërore po punojnë në bashkëpunim me grupe pune të qeverisë për të sjellë një vendim dhe një dekret mbi këtë çështje. Nëse do të jetë një shtet apo një mini-shtet, do të jetë një vendim zyrtar. Ne nuk e dimë ende, sepse janë ata që do të vendosin për të ardhmen e Bektashizmit në Shqipëri. Ata do të kërkojnë zgjidhjen më të arsyeshme, pa shkelje kushtetuese apo kundërshti ligjore. Vetëm Kryeministri dhe grupi i iniciativës e dinë saktësisht se si do të ecet përpara,” – përfundoi Baba Mondi.
Këto deklarata të Baba Mondit hedhin dritë mbi ecurinë e propozimit të Kryeministrit Rama, duke treguar se procesi është në fazë pune mes qeverisë dhe komunitetit bektashian për të konkretizuar këtë ide, ndërkohë që mbeten ende të hapura pyetje mbi formën përfundimtare që do të marrë ky “shtet” apo “mini-shtet” bektashian në Shqipëri.