Ngjarja e dhunshme e ndodhur dy ditë më parë në Vlorë, e cila fillimisht u raportua si një akt agresioni nga një efektiv policie ndaj një kamarieri, po merr një kthesë të re dhe dramatike. Avokati Kujtim Cakrani, i ftuar përmes lidhjes online në Now Euronews Albania, ka dhënë detaje tronditëse, duke pretenduar se klienti i tij, polici Ardian Isufi, është viktimë e dhunës dhe është goditur për shkak të detyrës.
Isufi, ish-shef i qarkullimit rrugor dhe i krimeve në Vlorë, ndodhet aktualisht në spital pasi është dhunuar nga disa persona. Cakrani theksoi me forcë se polici nuk ka qenë i përfshirë në krim të organizuar, mafia apo lidhje me pushtetin, dhe se sulmi ndaj tij është i paprovokuar dhe i lidhur me detyrën.
Në një deklaratë të tensionuar, avokati Cakrani u zotua se do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje. “Duhen hetuar ata që kanë goditur policin. Ai ka qenë shef krimesh, ka qenë shef qarkullimi. Na ra goja duke e thënë këtë. Erla [Ardian Isufi] ka çuar në sajë të detyrës persona të caktuar dhe nuk është përfolur as për lidhje me krimin e organizuar, as për lidhje me mafien, as për lidhje me pushtetin, as për ndonjë lloj krimi. Duan ta bëjnë pis patjetër policin. Duhet të kuptojmë diçka: unë po ju them kaq, video e prerë është vepër penale. O Erla, kjo histori sapo ka filluar, ‘O do lë unë licencën si avokat, ose ata do shkojnë në burg’,” tha Cakrani, duke shprehur vendosmërinë e tij të plotë për të vënë drejtësinë në vend.
Këto deklarata vijnë pas një vale informacioni të ri që ka përmbysur narrativën fillestare të incidentit. Fillimisht, pamjet e shpërndara tregonin një kamarier të dhunuar, duke nxitur reagime të forta publike dhe mbështetje për pronarin e hotelit. Megjithatë, dëshmi të reja dhe ekspertiza mjekësore kanë treguar se polici Ardian Isufi është dërguar në spital në gjendje të rëndë, me dëmtime të shkaktuara nga goditje të shumta në trup dhe kokë.
Sipas mjekut të urgjencës, Dr. Erges Eskiu, i pari që goditi policin me levë ishte një gazetar, ndërsa më pas dhuna u përshkallëzua nga disa persona të tjerë. Në epiqendër të ngjarjes është vënë Vasil Bedinaj, pronar i hotelit luksoz “Regina”, i cili së bashku me disa të afërm të tij dyshohet se kanë rrahur brutalisht policin. Burime jozyrtare pohojnë se Bedinaj kishte një konflikt të mëparshëm personal me policin Isufi, për shkak të një arrestimi të nipit të tij rreth një vit më parë, gjë që ngre dyshime të forta se incidenti mund të ketë qenë i paramenduar si hakmarrje.
Nëse këto rrethana vërtetohen nga hetimet, pozicionimi publik i kryeministrit Edi Rama, i cili doli në mbështetje të kamarierit dhe jo të efektivit të Policisë së Shtetit, do të mbetet një veprim i rëndë dhe i nxituar institucionalisht.
Ngjarja vijon të jetë nën hetim, ndërsa strukturat e brendshme të Policisë dhe Prokuroria e Vlorës pritet të sqarojnë rolin e secilit prej personave të përfshirë, përfshirë edhe gazetarin që dyshohet si nxitësi i dhunës.
