Gazetari Elton Tozaj ka bërë një tjetër reagim të fortë në rrjetet sociale, këtë herë duke ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e fondeve publike dhe duke kërkuar vëmendjen e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Përmes një postimi në Instagram, Tozaj ka publikuar një fotografi të Eraldo Rexhos, i njohur në botën e medias dhe showbiz-it, ku ai shfaqet në ambientet e një avioni privat.
“Dhe bredh me avion privat me taksat tona! Fëlliqësirë! SPAK-u ku është?”, ka shkruar Tozaj krahas fotografisë, duke lënë të kuptohet se dyshon për mënyrën se si janë përdorur paratë publike.

Reagimi vjen në një kohë kur në rrjetet sociale po qarkullojnë dokumente dhe të dhëna mbi pagesa të regjistruara në emër të Eraldo Rexhos për dy projekte.
Sipas materialeve të publikuara, bëhet fjalë për katër pagesa me vlerë totale prej 8 milionë e 50 mijë lekësh të rinj. Prej tyre, 6.55 milionë lekë lidhen me projektin “Selfie Museum”, ndërsa 1.5 milionë lekë rezultojnë për projektin kulturor “Mare Fest 2026”, nga Qendra Kulturore “A. Moisiu”.


Në dokumentet e shpërndara, pagesat për “Selfie Museum” paraqiten si mbështetje në kuadër të granteve për startup-et, ndërsa projekti është promovuar më herët si një hapësirë argëtuese me instalacione fotografike në Tiranë.
Reagimi i gazetarit ka rikthyer ndërkohë në vëmendje çështjen e transparencës dhe mënyrës së shpërndarjes së fondeve publike.