Një skenë tronditëse është regjistruar mbrëmjen e kësaj të marte në Tiranë, aty ku 46-vjeçari Ismet Habili u gjet pa jetë brenda automjetit të tij në zonën e Komunës së Parisit.
Ndërsa policia po kryente veprimet e para hetimore, në vendngjarje ka mbërritur djali 18-vjeçar i viktimës, i cili, i tronditur nga ajo që kishte ndodhur, kërkonte me dëshpërim të atin.
“Ku e kam babën?”, dëgjohet të thërrasë i riu në pamjet e publikuara nga mediat shqiptare, ndërsa personat pranë tij përpiqen ta qetësojnë.
Pamjet e kthejnë vëmendjen nga drama njerëzore që lë pas një ngjarje e tillë. Përtej shiritit të policisë dhe hetimeve për rrethanat e vdekjes, është një familje që përballet me humbjen e një njeriu të dashur.
Ngjarja u raportua rreth orës 20:20, në rrugën “Mihal Popi”, ku një automjet tip “Volvo” u gjet i aksidentuar. Brenda tij ndodhej pa shenja jete Ismet Habili.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, dyshohet se 46-vjeçari është vrarë me armë zjarri, ndërsa dinamika dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt hetimi.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e rastit.
Ndërkohë, mes të gjitha pyetjeve që presin përgjigje nga drejtësia, thirrja e djalit për të atin mbetet një nga momentet më të dhimbshme të kësaj mbrëmjeje në kryeqytet.