Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje për dialog protestuesve.

Para Kryeministrisë ditën e sotme janë vendosur disa karrige, ku secila mban një letër ku mbi shkruhet dialog.

Sot është dita e 8 e protestës së të rinjve të cilët me thirrjet e tyre kërkojnë dorëheqjen e Ramës.

Deri më tani asnjë student apo gjimnazist nuk e ka pranuar ftesën e kryeministrit për dialog.

Nga ana tjetër kryeministri në deklaratat e tij publike shprehet se sulmi i dhunshëm i këtyre ditëve nuk iu përket as nxënësve dhe as studentëve.

Kryeministri Edi Rama ka dalë sërish në një komunikim live duke folur për protestën. Kryeministri Rama ndalet te dhuna në protestë, por harron atë policore të përdorur ndaj të rinjve.

Ushtrimi i të drejtës për të protestuar është liri kushtetuese e pamohueshme. Por këtu flasim për ushtrimin e dhunës, kam marrë përsëri me vete gurë, dhe kur imagjinon peshën që merr kur gjuhen drejt trupave të policisë është armë që mund të shkaktojë tragjedi. Ky gur është objekti që ndan qartësisht dy anët e kësaj historie dhe përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të reaguar dhe marrë në mbrojtje qytetarët, ata që duan të shkojnë në punë apo shkollë”, tha ai.

Nga Dr. Magdalena Havari Ramohitaj

Prej një jave, kryeqyteti po përjeton net të dhunshme. Një grusht njerëzish me kapuçë, pas protestave, thyejnë e shkatërrojnë, pastaj largohen.

Mbeten dëmet, policët e plagosur dhe një shoqëri që duket sikur po mësohet me të pamësuarën.

Policia duket e pamotivuar.

Por ajo që të trondit më shumë nuk është vetëm dhuna.

Është reagimi i një pjese të shoqërisë përballë saj.

Kur shikon njerëz që gëzohen nga shkatërrimi, nga plagosja e policëve dhe nga arrestimi i të rinjve, pyet veten: ku përfundon kundërshtimi politik dhe ku fillon humbja e ndjeshmërisë njerëzore?

Related article  Dalin detajet urgjente! Ndryshimet në qeveri/ Rama pritet të largojë të paktën 5 ministra, kush janë ato

Dëgjohen mallkime ndaj policisë dhe kryeministrit që nuk largohet.

Nëpër kafene, bisedat bëhen gjithnjë e më të zjarrta.

Ka fytyra që shkëlqejnë nga entuziazmi.

Kur dhuna bëhet arsye për t’u gëzuar, shoqëria ka një problem shumë më të madh se një qeveri.

Analistët flasin, komentojnë, japin interpretime.

Por a po e kuptojmë vërtet se ku mund të na çojë kjo rrugë?

Sali Berisha e ka ashpërsuar përplasjen politike.

Gjuha e luftës po dëgjohet gjithnjë e më shpesh.

Por shqiptarët kanë një problem të vjetër: mungesën e nuhatjes politike.

Nuk i nuhasin aromat e këqija, edhe kur u qëndrojnë përballë.

Për njëqind vjet, me ndërprerje historike dhe sisteme të ndryshme, shqiptarët kanë përjetuar forma të ndryshme kontrolli, varfërie e propagande.

Megjithatë, shpesh kanë ditur të përshtaten, madje edhe të gjejnë arsye për t’u kënaqur brenda kufizimeve.

Kujtoni radhët e gjata, pasaportën në xhep si dokument identifikimi dhe pritjen për të marrë ato pak vezë të caktuara për muajin.

Edhe aty kishte «jetë sociale»: thashetheme, biseda, spiunllëqe.

Mjaftonte që dikush të thoshte se vezët kishin mbaruar dhe fjala mund të merrte përmasa që nuk i kishte menduar askush.

Kujtoni edhe ujërat e zeza, aromën e rëndë që mbulonte lagje të tëra dhe praktikat e gabuara të përdorimit të tyre në bujqësi.

Pse duhej të pranohej kjo?

Sepse propaganda e kohës këmbëngulte se jetonim mirë.

Dhe, kur një shoqëri mësohet të pranojë realitetin e imponuar si lumturi, rrezikon të humbasë aftësinë për të dalluar të mirën nga e keqja.

Sot, kur vendi po kalon një periudhë të tensionuar, disa duket se e kanë gjetur sërish shpjegimin e gatshëm: e keqja është Edi Rama.

Le të largohet ai dhe begatia do të na mbulojë!

Po sikur realiteti të mos jetë kaq i thjeshtë?

Po sikur rrëzimi i një kryeministri, pa një alternativë bindëse, të mos sjellë asgjë nga ato që u premtohen qytetarëve?

Related article  Vjen thirrja urgjente nga Tirana, kerkohet ndihme nga

Të largosh dikë nga pushteti nuk do të thotë automatikisht të sjellësh më të mirën.

Studentët nuk janë aty ku pritet të jenë: në auditore, duke kërkuar dije e duke përgatitur të ardhmen.

Por as në protestë nuk shfaqen në numrat që do të tregonin një angazhim të gjerë të brezit të ri.

Ndërkohë, intelektualët japin leksione demokracie.

Po, demokracia ka defekte.

Ka padrejtësi, korrupsion, institucione të dobëta dhe pasuri të përqendruar në pak duar.

Por pikërisht për këtë arsye duhen më shumë demokraci, më shumë përgjegjësi dhe më shumë institucione funksionale, jo shkatërrim.

Intelektualë, ku jeni kur shoqëria ka nevojë për zërin tuaj kundër dhunës?

Çfarë vlere kanë leksionet për demokracinë, nëse heshtet kur qyteti digjet dhe qytetarët mësohen të duartrokasin përplasjen?

Dikush përmendi ardhjen e ambasadorit amerikan, gjeneral në karrierën ushtarake, për «punë të mëdha».

Por cilat janë faktet dhe cilat janë interpretimet tona?

Në Tiranë kemi parë zhvillime shqetësuese.

Në Milano, sipas vëzhgimeve që më kanë tërhequr vëmendjen, kam parë pamje që më kujtojnë të njëjtën atmosferë përplasjesh.

Të jetë koincidencë?

Është një pyetje që mund të shtrohet.

Por ngjashmëria e pamjeve dhe afërsia në kohë nuk mjaftojnë për të provuar një skenar të përbashkët.

Për këtë duhen fakte.

Ndërkohë, disa prej atyre që e quajnë veten «burrnesha» e kanë përgjigjen gati: shihni francezët!

Po, në Francë njerëzit dalin masivisht në shesh.

Por protesta qytetare nuk është e njëjta gjë me shkatërrimin dhe dhunën.

Një shoqëri që kërkon ndryshim nuk ka pse të djegë shtëpinë e vet për të larguar një qeveri.

Dhe pastaj dëgjon një grua që shpërthen: «Luftë të bëhet!

Le të shuhet bota, se unë nuk kam çfarë humb!»

Related article  Nga 1 janari 2027 dyfishohet bonusi për pensionistët, pensioni i plotë synohet të arrijë 40 mijë lekë deri në 2030

Drithëruese!

Çfarë mund të ndërtohet mbi një mendësi të tillë?

Kur njeriu nuk sheh më asgjë për të ruajtur, as qytetin, as institucionet, as jetën e tjetrit, atëherë politika ka dalë nga fusha e arsyes dhe ka hyrë në territorin e shkatërrimit.

Shqiptarët po përballen me një provë të rëndësishme:

a do të arrijnë të dallojnë kundërshtimin legjitim të qeverisë nga nxitja e një konflikti që mund t’u kushtojë shumë më tepër sesa një karrige pushteti?

Sepse Rama mund të kritikohet.

Qeveria mund dhe duhet të mbahet përgjegjëse.

Protesta është e drejtë demokratike.

Por asnjëra prej këtyre të drejtave nuk e shndërron dhunën në zgjidhje dhe as shkatërrimin në program politik.

Nuk mjafton të rrëzosh një kryeministër.

Duhet të dish edhe çfarë vendos në vend të tij, me çfarë programi, me çfarë njerëzish dhe me çfarë garancish për qytetarët.

Përndryshe, mund të rrëzosh një karrige dhe të përfundosh përballë një problemi edhe më të madh.

Shqiptarët janë përpara një testi:

jo se kë do të mbështesin, por nëse do të ruajnë aftësinë për të menduar përtej zemërimit, përtej propagandës dhe përtej interesit të liderit të radhës.

Sepse, kur politika e humbet arsyen dhe qytetari fillon të dëshirojë shkatërrimin, askush nuk mund të jetë i sigurt se ku do të ndalet përplasja.

Kush e nxit luftën, duhet të mbajë përgjegjësi për pasojat.

Por shoqëria që e duartroket, duhet të pyesë veten se çfarë po i bën së ardhmes së saj.

Ky skenar «proteste», nëse vazhdon të ushqehet me dhunë dhe me gjuhën e luftës, mund të bëhet epilogu i një politike që nuk di më të fitojë qytetarët me ide.

Dhe ky do të ishte një dështim jo vetëm i politikës, por i të gjithëve ne.