Hidhet shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video-skandalit të Adi Hilës, çështja i besohet prokurorit Julian Xhengo.
Është hedhur shorti në Prokurorinë e Tiranës për dosjen e video-skandalit që përfshin kompozitorin Adi Hila. Sipas informacioneve të bëra me dije, çështja do të hetohet nga prokurori Julian Xhengo.
Sipas gazetarit Hoxha, në kuadër të kësaj çështjeje janë depozituar dy kallëzime në polici. Adi Hila ka bërë kallëzim penal me pretendimin se është hakeruar, ndërsa kallëzim ka bërë edhe këngëtarja Eli Fara, me pretendimin për shkelje të privatësisë.
Mbi bazën e këtyre dy kallëzimeve, çështja lidhet me disa vepra penale. Konkretisht, bëhet fjalë për hyrjen e paautorizuar kompjuterike, sipas kallëzimit të Adi Hilës, si dhe përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike dhe keqpërdorimin e pajisjeve kompjuterike, sipas kallëzimit të Eli Farës.
Ndërkohë, ditën e djeshme, edhe aktorja Monika Lubonja bëri me dije se ka depozituar kallëzim penal ndaj Adi Hilës.
Hetimi pritet të sqarojë rrethanat e publikimit të materialeve dhe pretendimet e ngritura nga palët e përfshira në këtë çështje.
publik_al
