Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Roskovec ku një bombol gazi ka shpërthyer duke lënë të plagosur një grua rreth 75 vjeçe.
Burime për mediat bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit të të moshuarve, Nexhip dhe Naile Sadiku. Ndërsa bëhet me dije se Naile Sadiku ka mbetur e plagosur. E moshuara thuhet se ishte duke ndezur sobën me gaz, kur papritmas bombola i ka shpërthyer duke i shkaktuar asaj djegie të shumta në trup.
Me të dëgjuar shpërthimin e fortë, në banesën e të moshuarve kanë mbërritur menjëherë fqinjët të cilët kanë njoftuar ambulancën.
E plagosura është transportuar drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po merr trajtimin mjekësor për shkak të plagëve dhe djegieve të shkaktuara nga shpërthimi.
Sakaq bëhet me dije se forca e shpërthimit ka qenë e madhe, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Njëri prej kateve të banesës ku jetonte çifti thuajse është shkatërruar plotësisht.
Të afërmit e tyre kanë folur për mediat duke treguar kështu se dy të moshuarit jetonin të vetëm në banesë, ndërsa djemtë e tyre ndodhen në emigracion.
Në vendngjarje kanë mbërritur dhe shërbimet e policisë, të cilat kanë nisur verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të shpërthimit. Ndërsa pritet të kemi detaje të reja në vijim.
