Shqipëria pritet të bëjë një tjetër hap në procesin e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Burime diplomatike nga Komisioni Evropian kanë treguar se në Bruksel po diskutohet data 13 tetor për zhvillimin e radhës së konferencës ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Presidencës së BE-së.
Sipas gazetarit Muhamed Veliu, në këtë mbledhje pritet që Shqipëria të mbyllë përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave. Bëhet fjalë për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe politika industriale”. “Presim të kemi një tjetër ‘super të martë’ më 13 tetor, nga ku Shqipëria do të mbyllë një tjetër kapitull. Ndërsa Mali i Zi do të jetë përballë mbylljes së tre kapitujve”, ka pohuar burimi diplomatik për Top Channel.
Shqipëria mbylli përkohësisht më 14 korrik tre kapitujt e parë të negociatave: Kapitullin 25 për Shkencën dhe Kërkimin, Kapitullin 26 për Arsimin dhe Kulturën dhe Kapitullin 30 për Marrëdhëniet e Jashtme. Kjo u konfirmua edhe nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Me hapjen dhe mbylljen e kapitujve të negociatave, Shqipëria vijon procesin e përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian. Komisioni Evropian konfirmon se vendi ka hapur të 33 kapitujt e negociatave.
