Një incident i rëndë është regjistruar në orët e hershme të mëngjesit në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, ku tre persona kanë mbetur të lënduar.
Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 05:00, pas informatave për të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë pas raportimit, njësitet policore kanë dalë në vendngjarje dhe kanë nisur veprimet e para për sqarimin e rrethanave të incidentit.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se bazuar në të dhënat fillestare, tre persona kanë pësuar lëndime.
“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast janë lënduar tre persona, dy prej të cilëve dyshohet se janë plagosur nga arma e zjarrit, ndërsa një person dyshohet se është lënduar nga një mjet i mprehtë. Të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor”, ka deklaruar Pllana.
Të tre personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa në informacionin fillestar të Policisë nuk janë dhënë detaje për identitetin, moshën apo gjendjen e tyre.
Po ashtu, Policia nuk ka bërë të ditur në këtë fazë se çfarë i parapriu incidentit dhe nëse është identifikuar apo arrestuar ndonjë person i dyshuar.
“Njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e mëtejme hetimore”, thuhet në sqarimin e Policisë.
Rasti është raportuar se ka ndodhur në zonën e Gizzi Grill, përgjatë magjistrales Prishtinë–Ferizaj, ndërsa rrethanat e sakta të incidentit janë duke u hetuar.
