Oliger Torba është emëruar në detyrën e drejtuesit të Policisë së Tiranës, duke marrë kështu drejtimin e strukturës më të madhe policore në vend.
Torba nuk është një emër i ri në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit. Prej muajit prill ai ushtronte detyrën e zëvendësdrejtorit të Policisë së Tiranës, pozicion që e mori pas ndryshimeve të bëra në kupolën drejtuese të policisë dhe emërimit të Skënder Hitës në krye të Policisë së Shtetit.
Me emërimin e fundit, Torba kalon nga posti i zëvendësdrejtorit në atë të drejtuesit të Policisë së Tiranës, duke marrë përgjegjësinë për menaxhimin e rendit dhe sigurisë në kryeqytet.
Më herët, Oliger Torba ka shërbyer edhe në strukturat e Policisë së Fierit, ku ka mbajtur detyrën e zëvendësdrejtorit. Eksperienca e tij në poste drejtuese vijon tashmë në Tiranë, një nga qarqet me ngarkesën më të madhe operacionale dhe numrin më të lartë të ngjarjeve që kërkojnë angazhim policor.
Emërimi i Torbës vjen në kuadër të lëvizjeve të fundit në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit. Në detyrën e re, ai do të ketë në fokus koordinimin e strukturave të rendit, hetimin e krimit, policinë rrugore dhe operacionet në territorin e kryeqytetit.

