Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë pushimeve familjare në ishullin grek Kimolos, ku një 17-vjeçar irlandez ka humbur jetën pasi dyshohet se është goditur nga rryma elektrike teksa po bënte dush.
Viktima, i identifikuar si Alex M., po qëndronte së bashku me familjen e tij në një shtëpi të vjetër prej guri, të cilën familja e përdorte rregullisht gjatë pushimeve në Greqi.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, shtëpia ishte më shumë se 50-vjeçare, ndërsa tashmë autoritetet po hetojnë nëse instalimet elektrike ose pajisjet e lidhura me ngrohjen e ujit mund të kenë shkaktuar tragjedinë.
U rrëzua pak pasi mori kokën e dushit
Sipas informacioneve të raportuara, 17-vjeçari kishte hyrë për të bërë dush dhe në momentin kur mori në dorë kokën e dushit, vetëm pak çaste më vonë u rrëzua.
Familjarët kanë reaguar menjëherë, por situata dyshohet se ka qenë tepër e rrezikshme për shkak të pranisë së energjisë elektrike.
Raportohet se edhe nëna e 17-vjeçarit ka ndjerë një shkarkesë elektrike në momentin kur është përpjekur t’i afrohej të birit.
Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, për të riun nuk kishte më asgjë që mund të bëhej.

Autopsia konfirmon shkakun e vdekjes
Rezultatet e autopsisë kanë konfirmuar se Alex kishte humbur jetën si pasojë e goditjes elektrike.
Pas tragjedisë, autoritetet greke kanë nisur hetime për të përcaktuar se si energjia elektrike kishte arritur te sistemi i dushit dhe nëse ngjarja mund të ishte parandaluar.
Në fokus të hetimeve janë instalimet elektrike të shtëpisë dhe ngrohësi i ujit.
Po shqyrtohet gjithashtu nëse sistemi elektrik kishte të gjitha pajisjet e nevojshme mbrojtëse që ndërpresin furnizimin me energji në rast të rrjedhjes së rrymës.
Hetimet pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për një defekt teknik, instalime të vjetruara apo ndonjë problem tjetër në sistemin elektrik të objektit.
Alex ishte nxënës i dalluar
Tragjedia ka shkaktuar dhimbje edhe në qytetin irlandez Cork, prej nga vinte 17-vjeçari.
Alex përshkruhet si një nxënës i dalluar dhe i angazhuar në projekte inovative.
Ai kishte marrë çmime për një projekt të realizuar së bashku me dy bashkëmoshatarë, që kishte për qëllim të ndihmonte personat me autizëm joverbal.
Pushimet familjare në ishullin grek përfunduan kështu në tragjedi, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë dhe rrethanat e sakta që çuan në vdekjen e 17-vjeçarit.
