Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur Romën, ku një grua 71-vjeçare është gjetur e pajetë brenda një dollapi në banesën e saj, ndërsa për rastin është arrestuar djali i saj 51-vjeçar, i dyshuar për vrasje.
Sipas mediave italiane, familjarët e viktimës kishin humbur kontaktet me të prej disa ditësh dhe, të shqetësuar për mungesën e saj si dhe për konfliktet e vazhdueshme mes nënës dhe të birit, njoftuan autoritetet.
Karabinierët ndërhynë në apartamentin e familjes, që ndodhet në katin e 14-të të një pallati në Romë. Gjatë kontrollit, ata zbuluan trupin e pajetë të 71-vjeçares të fshehur brenda një dollapi.
Sipas hetimeve paraprake, viktima kishte një qese të vendosur rreth kokës dhe shenja të dukshme dhune në fytyrë, çka ngriti menjëherë dyshimet se bëhej fjalë për një vrasje.
Hetuesit dyshojnë se konflikti mes nënës dhe djalit kishte të bënte me varësinë e 51-vjeçarit nga droga. Sipas mediave italiane, ai i kërkonte vazhdimisht para nënës për të blerë lëndë narkotike, gjë që shpesh shkaktonte debate të ashpra mes tyre.
Fillimisht, i dyshuari u përpoq të bindte policinë se nëna kishte humbur jetën pasi ishte rrëzuar aksidentalisht dhe kishte goditur kokën. Ai deklaroi se më pas kishte vendosur trupin në dollap një natë më parë.
Megjithatë, ky version nuk përputhej me provat e gjetura në vendin e ngjarjes dhe me rezultatet e para të hetimit. Pas marrjes në pyetje dhe verifikimeve të kryera nga autoritetet, 51-vjeçari u ndalua dhe më pas u arrestua nën dyshimin për vrasjen e nënës së tij.
Prokuroria italiane ka nisur hetime të plota për të zbardhur dinamikën e ngjarjes dhe motivin e saktë të krimit, ndërsa priten edhe rezultatet e autopsisë që do të ndihmojnë në sqarimin e shkakut të vdekjes.
