Një rast që tregon shkeljen flagrante të rregullave dhe perimetrit të sigurisë në plazh është regjistruar në plazhin e Shëngjinit. Një i ri me makinë uji apo siç njihen dhe “jet car”, shihet teksa futet mes pushuesve dhe i jep gaz.
Video alarmante ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, duke nxjerrë sërish në pah kaosin dhe mungesën e kontrollit në plazhet shqiptare, ndërsa pak javë më parë një tragjedi me këto “makina” ndodhi në Ksamil.
Mjeti futet brenda perimetrit të sigurisë dhe në pamje dallohen prindër e fëmijë që shohin të tmerruar e të habitur. Sikur të mos mjaftonte vetëm futja në zonën ku lahen pushuesit, i riu që ndodhet në “jet car” kalon pranë kokave të tyre me shpejtësi.
Në raste të ngjashme, shërbimet e Policisë Kufitare të stacionuara gjatë sezonit në zonat e plazhit, kanë reaguar menjëherë, por në çdo rast, pasi pamjet janë bërë publike në media apo rrjetet sociale.
