Në vjeshtë pritet të mbahet konferenca ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian, me synimin për të hapur dy grupkapitujt e mbetur të bisedimeve të anëtarësimit. Kështu bëri të ditur zëvendësministri i Ekonomisë, Enkelejd Musabelliu, duke konfirmuar se të gjitha procedurat paraprake janë kryer.
“Për dy grupkapitujt e mbetur Shqipëria ka marrë një ftesë për të paraqitur pozicionin e saj dhe në vjeshtë parashikohet edhe organizimi i konferencës së përbashkët ndërqeveritare mes Komisionit Evropian dhe Shqipërisë për të hapur zyrtarisht negociatat edhe për këta dy grupkapituj,” u shpreh Musabelliu.
Përgatitja për tregun e përbashkët dhe përfitimet
Në një treg prej 450 milionë konsumatorësh, zyrtari theksoi rëndësinë e përgatitjes së vendit për të përfituar maksimalisht nga ky integrim. Sipas tij, procesi ka për qëllim përgatitjen e bizneseve shqiptare për tregun e përbashkët evropian.
Musabelliu shtoi se ndryshimi me përafrimin e plotë të legjislacionit nuk do të jetë aq drastik sa të pengojë bizneset, duke theksuar se ky proces do t’i ndihmojë ato të përshtaten me standardet e larta të BE-së.