Tensionet vijojnë të përshkallëzohen në Theth gjatë aksionit të Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT), që ka nisur prej ditësh për shembjen e ndërtimeve pa leje në këtë zonë turistike.
Situata është bërë më e ndërlikuar, pasi një grup banorësh dhe familjarësh janë futur brenda një prej ndërtesave që është planifikuar për t’u shembur, duke kundërshtuar në mënyrë aktive ndërhyrjen e autoriteteve.
Sipas burimeve nga terreni, banorët po refuzojnë të largohen nga godina dhe po pengojnë punën e fadromës së IKMT-së, e cila tashmë ka mbërritur te objekti i fundit në listën për t’u prishur.
Prania e njerëzve brenda ndërtesës e ka detyruar ekipin ekzekutues të ndalojë përkohësisht veprimet, për shkak të rrezikut për jetën e tyre dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit.
Familjarët e prekur nga shembja pretendojnë se godina është ende subjekt i një shqyrtimi gjyqësor dhe kanë kërkuar që procesi i shembjes të pezullohet deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga gjykata.
Ata thonë se brenda pesë ditëve pritet një verdikt mbi legalitetin e ndërtimit, ndaj insistojnë që ndërhyrja e IKMT-së është e nxituar dhe potencialisht e paligjshme.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e rendit janë në vendngjarje për të garantuar mbarëvajtjen e procesit dhe për të shmangur përplasjet mes banorëve dhe autoriteteve.
Për momentin nuk raportohet për incidente fizike, por banorët kanë paralajmëruar se do të qëndrojnë aty derisa të respektohet vendimi i gjykatës.
Zhvillimet në Theth vijnë në vazhdën e aksionit më të gjerë të qeverisë kundër ndërtimeve pa leje në zonat turistike, një fushatë që ka hasur në reagime të ndryshme nga komuniteti lokal dhe organizatat e shoqërisë civile.
