Përplasja publike mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, dy prej figurave më të spikatura të nismës “Ne Shqipëria”, po komentohet gjerësisht në opinionin publik dhe mediat sociale.
Ky debat u trajtua edhe këtë të enjte në emisionin Top Story në ekranin e Top Channel, ku analisti Arjon Sulo dha një koment të ashpër dhe të drejtëpërdrejtë mbi mënyrën sesi kjo lëvizje e re politike e kishte trajtuar përballjen elektorale.
Sipas Sulos, grupi i Lapajt dhe Shabanit ishte i papërgatitur për garën dhe nuk kishte reflektuar mjaftueshëm për seriozitetin e një përballjeje të tillë me sistemin politik ekzistues.
Ai theksoi se ata e kishin marrë lehtë procesin zgjedhor, duke u bazuar më shumë te euforia e opinionit publik sesa te një strategji konkrete.
“Nuk duhej ta kishin marrë lehtë përballjen elektorale. E kishin marrë shumë lehtë. Ne kemi pasur ndeshje me ta dhe vetëm dy javët e fundit para zgjedhjeve kanë qenë realisht të vetëdijshëm për sfidën që i priste,” – tha Sulo gjatë emisionit.
Ai shtoi se euforia e tyre u mbështet në bindjen që shqiptarët ishin të lodhur nga partitë tradicionale, çka është një perceptim real, por jo i mjaftueshëm për të fituar vota. Sipas tij, mungesa e një bashkimi me figura të tilla si Lulzim Basha apo Enkelejd Alibeaj ishte një vendim emocional dhe i gabuar që rezultoi fatal për fatin e votave të opozitës së re.
“Delirin e patën kur nuk u bënë bashkë me Bashën as me Alibeajn. Nëse do kishin bashkuar votat, sot do të kishin 3 ose 4 mandate,” – vijoi ai.
Sulo shtoi gjithashtu se kritikat ndaj Lapajt janë ndoshta të ekzagjeruara, pasi në fund të fundit ai nuk ka shkaktuar një dëm konkret. Megjithatë, sjellja e tij publike pas zgjedhjeve, sipas Sulos, ka prodhuar tension të panevojshëm dhe ka dhënë sinjale të gabuara.
“Po e rëndojmë Lapajn, sepse në fund ai nuk ka bërë ndonjë dëm real. Por, nuk i lihet në dorë kukullës, sepse kukulla pi dy dopio dhe të bën gjëmën. Deklarata si ajo e Lapajt ndodhin çdo ditë, por ngrihet dajo dhe s’jep mandatin?! Kjo është absurde.”
Debati përbrenda kësaj lëvizjeje të re politike duket se po nxjerr në pah jo vetëm tensionet e brendshme, por edhe mungesën e një platforme të qëndrueshme dhe të qartë për funksionimin e saj në një realitet politik shumë më kompleks sesa perceptimi fillestar i liderëve të saj.