Skip to content

Panik në ajër! Pasagjerët hidhen nga avioni i Ryanair (VIDEO)

Një alarm i rremë për zjarr në një avion të kompanisë ajrore Ryanair në Aeroportin e Palmës së Majorkës ka shkaktuar një situatë paniku mes pasagjerëve. Incidenti ndodhi gjatë përgatitjeve për fluturimin me destinacion Mançesterin, duke detyruar pasagjerët të braktisin avionin në mënyrë emergjente.

Udhëtarët u detyruan të përdorin rrëshqitëset emergjente dhe madje disa prej tyre u hodhën nga krahët e avionit për t’u larguar sa më shpejt nga mjeti ajror. Si pasojë e kësaj kaosi, 18 pasagjerë kanë pësuar lëndime të lehta. Gjashtë prej tyre u transportuan në spitalet lokale për të marrë kujdes mjekësor, ndërsa pasagjerët e tjerë morën ndihmën e parë në vendngjarje.

Pamjet filmike të publikuara në rrjetet sociale kanë kapur momentet dramatike kur udhëtarët shihen duke kërcyer nga avioni.

Zjarrfikësit dhe forcat e policisë mbërritën menjëherë në aeroport për të vënë situatën nën kontroll. Autoritetet spanjolle kanë konfirmuar se incidenti u shkaktua nga një sinjal i rremë për zjarr dhe nuk ka pasur asnjë rrezik real për jetën e pasagjerëve.

Në një deklaratë për mediat, autoritetet theksuan se, megjithë tensionin dhe panikun e krijuar, shumica e pasagjerëve u evakuuan në mënyrë të organizuar dhe nuk raportohen të lënduar rëndë.

Aktualisht, hetimet po vijojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të aktivizimit të sinjalit të gabuar të zjarrit.

Published inLajme