Nga Tirana drejt Vienës dhe Amerikës – një profil gjithnjë e më ndërkombëtar
Në vitet e fundit, Balfin Group ka intensifikuar ndjeshëm aktivitetin dhe investimet në Austri dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ndërtuar një profil ndërkombëtar më të fortë dhe duke e tejkaluar imazhin e një grupi të përqendruar vetëm në Ballkanin Perëndimor.
Kjo e bën të kuptueshme se dalja nga tregu shqiptar nuk është një lëvizje e izoluar, por pjesë e një ristrukturimi më të gjerë strategjik.
Në një klimë ekonomike ku pasiguria ligjore, problematikat fiskale dhe perceptimi për riskun politik mbeten faktorë domethënës, riorientimi i kapitalit drejt vendeve me stabilitet më të lartë ekonomik dhe institucional duket një vendim i kalkuluar nga ana e grupit Balfin.
Fundi i një epoke apo fillimi i një vizioni të ri?
Samir Mane, i konsideruar gjerësisht si miliarderi i parë shqiptar, ndërtoi perandorinë e tij të biznesit pikërisht nga Shqipëria, duke ndërtuar një sërë kompanish të suksesshme në fushat e tregtisë, ndërtimit, teknologjisë dhe më gjerë.
Por sot, gjithnjë e më shumë, duket se ai po e rikompozon portofolin e tij duke hequr dorë nga asetet vendore për t’u përqendruar në zhvillimin e markës Balfin në skenën ndërkombëtare.
Pyetja që mbetet është: A po largohet Samir Mane nga Shqipëria? Apo po e shndërron Balfin nga një grup rajonal në një aktor global?
Përgjigja ende nuk është e qartë, por një gjë është: lëvizjet e fundit të Balfin sinjalizojnë pa dyshim një kapitull të ri. Një kapitull që mund të shënojë fundin e një epoke për ekonominë shqiptare dhe fillimin e një vizioni të ri për një nga figurat më të mëdha të biznesit shqiptar.