Pas shitjes bujshme të rrjetit të supermarketeve SPAR te grupi kosovar Viva Fresh për rreth 44 milionë euro, grupi Balfin, në pronësi të miliarderit shqiptar Samir Mane, ka finalizuar një tjetër dalje të rëndësishme nga tregu shqiptar: Fashion Group Albania i është shitur zyrtarisht kompanisë Albi Holding, pjesë e Albi Group, një nga grupet më të fuqishme të biznesit në Kosovë.
Lajmi është konfirmuar nga Autoriteti i Konkurrencës, i cili ka pranuar njoftimin paraprak për përfitimin e kontrollit të “Fashion Group Albania SHPK” nga kompania “ALBI HOLDING SHPK”, sipas burimeve të portalit kapitali.al.
Shitje e një prej aseteve më të konsoliduara në tregun e retail-it të modës
Fashion Group Albania ka qenë një nga emrat më të rëndësishëm në tregun shqiptar të veshjeve dhe aksesorëve, duke mbajtur ekskluzivitetin e disa prej markave më të njohura ndërkombëtare, përfshirë: Prenatal, Springfield, Geox, Aldo, Women’Secret, Okaidi, Mango, Parfois, Carpisa dhe Cortefiel.
Kompania, e cila në vitin e fundit financiar ka realizuar një qarkullim vjetor prej 11 milionë euro dhe një fitim neto prej 1 milion euro, punëson 154 persona aktivë dhe mban një strukturë financiare me 5.5 milionë euro aktive dhe 3.3 milionë euro detyrime.
Megjithatë, shuma për të cilën është realizuar shitja nuk është bërë publike, çka shton mjegullnajën mbi strategjinë që ndjek aktualisht grupi Balfin.
Largimi i dytë në pak muaj – çfarë po ndodh me strategjinë e Balfin?
Shitja e Fashion Group Albania vjen shumë shpejt pas largimit nga sektori ushqimor me pakicë përmes transferimit të rrjetit SPAR.
Dy lëvizje të mëdha në një periudhë kaq të shkurtër kanë ngjallur dyshime të forta dhe spekulime të shumta në lidhje me drejtimin që ka marrë strategjia e Samir Manes.
A po largohet Balfin në mënyrë të qëllimshme nga segmentet kyçe të shitjes me pakicë në Shqipëri? Dhe më e rëndësishmja: a po zhvendos Samir Mane interesat dhe kapitalet e tij nga Shqipëria drejt tregjeve ndërkombëtare më të qëndrueshme dhe më të parashikueshme?

