Ish futbollisti i përfaqësueses së Rusisë, Alexey Bugaev, ka ndërruar jetë në moshën 43 vjeçare teksa shërbente për ushtrinë e vendit të tij, në luftën në Ukrainë.
Lajmin e konfirmuan babai i tij, Ivan Bugaev dhe avokati i tij, Anton Smirnov. “Fatkeqësisht, lajmi për vdekjen e Alexey është i vërtetë”, konfirmuan të dy për Sport24.
Alexey Bugaev mbahet mend për faktin se luajti për klube të tilla si Lokomotiv Moska, Krasnodar, Tom Tomsk dhe Khimki, dhe që u thirr për të përfaqësuar Rusinë në Kampionatin Evropian të UEFA-s 2004. Vlen të theksojmë se ai la futbollin në moshën 29-vjeçare.
Pse Aleksej Bugaev ndodhej në front në Ukrainë?
Bugayev ndodhej në radhët e ushtrisë ruse për shkak të një dënimi të rëndë që i ishte dhënë në atdhe. Ish-futbollisti ishte dënuar me gati 10 vite burg për trafik droge.
Ai ishte kapur në flagrancë në posedim të substancave ilegale që ishin destinuar për shitje. Gjatë gjykimit, Bugayev deklaroi se nuk kishte pasur qëllim t’i shiste ato, por më pas pranoi fajësinë dhe shfaqi pendesë.
Megjithatë, kjo nuk e shpëtoi nga dënimi i rëndë. Sipas avokatit të tij, Bugayev vendosi të “shkëmbejë” dënimin e tij me angazhimin në ushtrinë ruse dhe pjesëmarrjen në pushtimin e Ukrainës.
Ai shpresonte se kështu do të lirohej më lehtë, por pas tre muajsh situata për të përfundoi në mënyrën më të keqe. Smirnov shpjegoi: “Sipas informacioneve të mia, aktualisht nuk ka asnjë mundësi për të nxjerrë trupin e Aleksejit. Luftimet vazhdojnë.”

