Ish-kryebashkiaku socialist i Kavajës, Elvis Roshi, është zyrtarisht i pandehur nga SPAK. Roshi u paraqit sot në ambientet e SPAK-ut, i shoqëruar nga avokati i tij, ku iu komunikua akuza për “shpërdorim detyre”. Kjo akuzë lidhet me një kallëzim të depozituar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në vitin 2015 për parregullsi të konstatuara në tenderat e zhvilluar gjatë kohës që Roshi drejtonte Bashkinë e Kavajës.
Sipas kallëzimit të KLSH-së, Elvis Roshi dhe 10 zyrtarë të tjerë të bashkisë dyshoheshin se kishin shkaktuar një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh nëpërmjet tenderave për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve. Shkeljet u zbuluan pas një auditi të KLSH-së në Bashkinë e Kavajës për periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Auditi renditi 12 tendera të dyshimtë, kryesisht për rikonstruksionin e qendrës, rrugëve lidhëse dhe mbjelljen e pemëve dekorative. Në dy raste, KLSH akuzoi bashkinë për standard të dyfishtë në vlerësimin e ofertuesve, duke skualifikuar operatorin me ofertën më të ulët. Për tre tenderë të tjerë, u konstatua se ofertuesi me çmimin më të ulët ishte skualifikuar padrejtësisht për shkak të llogaritjes së gabuar të ofertës.
Një procedim penal për këtë kallëzim ishte regjistruar në vitin 2017 në Gjykatën e Posaçme për veprën penale “shpërdorimi i detyrës”, por pa autor të njohur në atë kohë. Prokuroria e Durrësit kishte kërkuar pushimin e hetimeve ndaj Roshit, por Gjykata e Posaçme vendosi që çështja t’i kalonte për kompetencë SPAK-ut.
Kujtojmë se më 17 maj, SPAK sekuestroi celularin e Elvis Roshit dhe ushtroi kontroll personal ndaj tij nën dyshimin për korr’upsion në zgjedhjet e 11 majit. Kjo ndodhi ndërkohë që Roshi ishte aktiv në fushatën elektorale në Kavajë për kushëririn e tij, Elton Roshi, i cili kandidoi për koalicionin PD-ASHM të Sali Berishës.