Një histori jete e ngarkuar me vuajtje, tradhti dhe mbijetesë e heshtur u soll sot në ekranin e “News24”, në emisionin “Me zemër të hapur” të moderuar nga Evis Ahmeti. E ftuara ishte Ina, një 31-vjeçare nga Korça, nënë e tre fëmijëve, secili prej një bashkëjetese të ndryshme, që sot përballet e vetme me jetën dhe barrën e një nëne pa mbështetje.
Ina nisi rrëfimin e saj duke kujtuar fëmijërinë, një periudhë që e cilësoi të ngrohtë falë përkushtimit të prindërve të saj punëtorë dhe vëllait që, sipas saj, “më ka falur shumë”. Por jeta e saj mori një kthesë të vështirë që në adoleshencë.
“Në moshën 17-vjeçare u fejova dhe në 20 solla në jetë fëmijën tim të parë,” – tregon Ina me emocion. Martesa e parë u shënua nga papërgjegjshmëria e bashkëshortit, i cili për katër vite nuk punoi dhe ishte emocionalisht i largët. “Djali i madh është i sëmurë me sytë dhe kur i kërkova ndihmë të atit, ai nisi të më shante. E bllokova.”
Zhgënjimi u thellua kur Ina zbuloi se burri i saj kishte një lidhje paralele me shoqen e saj të ngushtë dhe se e kishte lënë edhe atë shtatzënë. Në pamundësi për të përballuar këtë tronditje, ajo e mbylli këtë kapitull.
Pas kësaj, njohu një tjetër burrë përmes një mikeshë, i cili ishte në burg në atë kohë. “E kam celebruar atë martesë, solla në jetë një djalë tjetër, që sot është 6 vjeç e gjysmë. Por ai më tradhtoi me një komshie time dhe vjehrra më diskriminonte për shkak të fesë sime. U ndava kur ai ende ishte në burg. Sot ai ka një jetë tjetër, është martuar dhe nuk e njeh fare djalin,” tregon Ina, me një dhimbje të akumuluar.
Historia e saj nuk ndalet me kaq. E zhvendosur në Tiranë në kërkim të një jete më të mirë, Ina filloi të punonte në një biznes të vogël ushqimesh. Aty njohu partnerin e tretë – një klient që fillimisht e dashuroi, por që më pas e la në mëshirë të fatit, sapo mori vesh se ishte shtatzënë. “Familja e tij nuk donte një grua me dy fëmijë. Ai më braktisi pa e njohur as vajzën tonë.”
Për muaj të tërë Ina fshehu shtatzëninë e saj të tretë. Nëna e saj kujdesej për dy fëmijët, por nuk i fliste. Askush nuk i ofroi strehë. Vetëm një pastore, e panjohur, e ndihmoi. “Kam punuar gjithçka, pastruese, vetëm që fëmijët e mi të hanë. Ai (partneri i tretë) më tha: ‘Nëse nuk e lind vajzën, nuk është e imja’. Por kur vendosa ta mbaj, u zhduk. Nuk e pashë më.”
Me lot në sy, Ina rrëfeu se dhimbja më e madhe qëndron te vajza e vogël, e cila rrezikon të rritet pa identitet paternal. “Më dhëmb vajza në shpirt. Nuk dua që të shkojë në shkollë dhe të mos dijë kush është babai i saj.”
Historia e Inës është ajo e shumë grave që përballen të vetme me barrën e mëmësisë, të dhunës psikologjike, të braktisjes dhe mungesës së mbështetjes institucionale. Ajo nuk kërkoi as mëshirë, as dramë – por vetëm të dëgjohej. Dhe ndoshta, të ndihmohej. Sepse pavarësisht gjithçkaje, ajo është aty, një nënë e papërkulur që lufton çdo ditë për tre fëmijët e saj.